Gjermania mbështet Kosovën në fushën e arsimit
Berlin, 11 qershor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Gjermani, është pritur sot në takim nga ministrja e Arsimit dhe Shkencës të Gjermanisë, znj. Johanna Wanka, me të cilën ka biseduar për mundësi të reja të bashkëpunimit në arsimin parauniversitar, arsimin e lartë, por edhe në fushën e hulumtimit shkencor.
Mininistri Bajrami ka falenderuar ministren gjermane në emër të Qeverisë së Kosovës për ndihmën që ka dhënë shteti i saj për Kosovën, veqanërisht në fushën e arsimit.
Gjatë takimit u bisedua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, me theks të veqantë në arsimin profesional, duke theksuar se arsimi profesional ka rol të jashtëzakonshëm që të krijojë kuadro për tregun e punës.
Ministri Bajrami kërkoi ndihmën e shtetit gjerman për arsimin në Kosovë. Ai kërkoi që Gjermania po ashtu të ndihmojë Kosovën në rrugëtimin e bërjes anëtare dhe pjesë e Bolonjës.
Ministrat e Arsimit të dy vendeve biseduan edhe për bashkëpunim në arsimin e lartë, ndërsa ministri Bajrami kërkoi që të ketë bashkëpunim mes universiteteve kosovare dhe gjermane, duke realizuar programe të përbashkëta, shkëmbime të studentëve dhe të stafit akademik.
Ministrja gjermane e ka falënderuar për vizitën ministrin Bajrami dhe ka garantuar mbështetjen gjermane për Kosovën në fushën e arsimit.
Ministrja po ashtu theksoi se e inkurajon Kosovën që të aplikojë në fonde evropiane për mbështetje në arsim dhe shkencë. Ajo u shpreh e gëzuar për faktin se Kosova është në rrugën e Bolonjës sa i përket arsimit të lartë.
Ministri Bajrami e ftoi ministren Wanka për vizitë yzrtare në Kosovë.
Ministri Bajrami gjatë vizitës zyrtare në Gjermani do të ketë vizitë edhe në Bundestag, ku do të takohet me znj. Patricia Lips, kryetare e Komisionit për Edukim dhe Shkencë dhe njëherësh edhe anëtare e Bundestagut, si dhe me anëtarët e këtij Komisioni. Po ashtu, ministri do të takohet edhe me udhëhqës të universiteteve në Berlin.