Gjermania mbështet arsimin dhe aftësimin profesional në Kosovë
Prishtinë, 12 shkurt - Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, në emër të Qeverisë Gjermane dhe nnnë prani të Ambasadorit gjerman Jörn Rohde i ka dhuruar Universitetit të Prishtinës pesë pajisje për saldim që janë fjala e fundit e teknologjisë.
Pajisjet do të ju shërbejnë studentëve dhe profesorëve të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, e po ashtu do të jenë të në dispozicion të nxënësve të shkollave profesionale dhe ndërmarrjeve trajnuese.
Arsimi dhe aftësimi profesional i të rinjve si dhe punësimi i tyre është një nga fushat prioritare të bashkëpunimit ndërmjet dy qeverive, asaj të Kosovës dhe të Gjermanisë. Lidhur me këtë, Ambasadori Gjerman në Kosovë Jörn Rohde theksoi:
“Qeveria Gjermane e mbështet Kosovën dhe shumë vende të tjera në botë në modernizimin e arsimit. Prandaj edhe fokusi i Gjermanisë është veçanërisht në arsimin dhe aftësimin profesional, i cili siguron mundësi të shkëlqyera për tregun kombëtar dhe ndërkombëtar të punës ".
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Dr. Sc. Naser Sahiti u shpreh:
“Universiteti I Prishtinës e çmon mbështetjen e vazhdueshme nga ana e Qeverisë Gjermane dhe GIZ-it që është esenciale për forcimin dhe zgjerimin e kapaciteteve të universitetit për sa I përket ofrimit të trajnimeve specifike për komunitetin dhe institucionet.”
Mirënjohje ndaj këtij bashkëpunimi shprehu edhe Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Prof. Dr. Ahmet Shala, i cili theksoi nevojën për modernizimin e teknologjisë në funksion për përgatitje më të mirë profesionale të kuadrove të reja.
Ndërkaq, udhëheqësi i projektit për punësimin dhe shkathtësitë e të rinjve në kuadër të GIZ, Dr. Klaus Bader-Labarre, vlerësoi punën e përbashkët me partnerët kosovarë për përmirësimin e cilësisë së shkollave profesionale dhe institucioneve tjera të aftësimit profesional në Kosovë.
GIZ vepron në emër të Qeverisë Gjermane që nga viti 1999 në Kosovë. Fushat kryesore të veprimit përfshijnë, ndër tjerash zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, shkathtësitë dhe punësimin e të rinjve, efiçiencen e energjisë, qeverisjen e mirë dhe zhvillimin e qëndrueshëm urban përkitazi me furnizimin me ujë, mënjanimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave.