Gjermania e përkrahë arsimin kosovarë
Prishtinë, 13 shtator - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka nënshkruar Memorandum të Mirëkuptimit në fushën e arsimit dhe këmbimit të nxënësve dhe studentëve, me organizatën gjermane “Education Unlimited a.V”, të kryesuar nga përfaqësuesja Kerstin Zielosko Labonte, qëllimi i të cilit është thellimi i mëtejmë i bashkëpunimit në fushën e arsimit.
Kryeministri Haradinaj, u shpreh i lumtur për nënshkrimin e këtij memorandumi, duke e quajtur këtë, si një dëshmi e përkushtimit të Qeverisë kosovare, për t’i dhënë përkrahje arsimit në vend.
“Është fakt i mirë që në mesin tonë kemi zonjën Labonte, e cila në baza vullnetare e ka nisur këtë projekt vite më parë dhe që nga viti 2014 e deri më sot kanë përfituar mbi 120 nxënës nga vende të ndryshme të Kosovës dhe nga viti i kaluar edhe 15 studentë dhe 4 mësimdhënës. Falë këtij programi, ne kemi pranuar nxënës gjermanë, të cilët e kanë vizituar Kosovën, për ta parë një Kosovë ndryshe, një Kosovë evropiane, tha kryeministri Haradinaj, duke e quajtur këtë projekt si një mundësi shumë të mirë dhe të vlefshme për të këmbyer njohuri dhe përvoja.
Duke e falënderuar znj. Lebonte për angazhimin e saj, Kryeministri Haradinaj, i falënderoi në veçanti edhe përfaqësuesit e Parlamentit Evropian, të cilët, siç tha ai, i kanë dhënë përkrahje këtij programi dhe njëkohësisht iu kanë mundësuar fëmijëve kosovarë vizitën në Parlamentin Evropian.
“Falënderoj gjithë ato familje dhe vullnetarë nga Republika e Baden-Württemberg të cilët kanë strehuar dhe ndihmuar fëmijët kosovarë gjatë qëndrimit të tyre në Gjermani dhe familjet kosovare po ashtu, që kanë strehuar dhe ndihmuar fëmijët gjermanë gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, në programet shkëmbyese që janë aplikuar deri më tani”, theksoi Kryeministri Haradinaj.
Ndërkaq, përfaqësuesja e organizatës “Education Unlimited e.V” Kerstin Zielosko Labonte, u shpreh e gëzuar për nënshkrimin e këtij memorandumi, duke e quajtur atë si shumë të rëndësishëm, për të mësuar nga njëri tjetri.
“Unë gëzohem shumë që ne kemi nënshkruar këtë memorandum dhe falënderoj të gjithë personat që kanë ndihmuar në këtë projekt dhe po ashtu edhe Ambasadën Gjermane dhe të gjithë ata persona që gjashtë vjet kanë mbështetë në këtë projekt që shumë nxënës kosovarë kanë qenë në Gjermani në shkollat tona”, u shpreh ajo.
Kryeministri Haradinaj dhe znj. Labonte shprehen gatishmërinë që edhe më tutje ta thellojnë këtë mënyrë të bashkëpunimit.