Gjendje e rëndë e investimeve në shkollat e Ferizajt
Ferizaj, 21 prill - Forumi Politik i të Rinjëve pas vizitave në terren dhe njoftimeve nga qytetarët, prindërit dhe nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme shpreh shqetësimin për gjendjen e rëndë të investimeve në shkollat e Komunës së Ferizajt.
Këto probleme janë evidente me theks të veçantë në shkollën fillore mesme e ulët Gjon Serreçi dhe në Gjimnazin e Shkencave Shoqërore Dr. Shaban Hashani , kjo e fundit para pak kohësh ka përfituar një donacion nga Komisioni Europian për rregullimin e terrenit sportiv në oborrin e kësaj shkolle.
Investimet e kryera nga pushteti lokal dhe qendror, por edhe nga donatorë të jashtëm dhe vendor janë në gjendje të rëndë, saktësisht në masë të madhe të dëmtuara dhe deri më tash Drejtoria Komunale e Arsimit këtë gjë e ka përmbyllur vetëm me arkivim të gjendjes.
Poashtu problematik është edhe fakti i hyrjes së paautorizuar i personave brenda objektit shkollore si dhe automjeteve të palejuara për tu futur në oborrin e shkollës. Kjo paraqet një potencial për cenimin e sigurisë së nxënësve, shto kësaj edhe rastin e fundit të dëmtimeve të inventarëve në shkollën fillore-mesme e ulët Gjon Serreçi në prag të përfundimit të vitit shkollor.
Ne kërkojmë nga Drejtoria Komunale e Arsimit që të ndërmerr masa të menjëhershme disiplinore ndaj drejtorëve dhe nxënësve të shkollave përkatëse, të rris sigurinë në shkolla përmes kontrollimit të personave dhe automjeteve që frekuentojnë pa leje brenda hapësirave shkollore si dhe të siguroj pronësinë e përgjegjësisë për të gjitha aktet vandale dhe përgjegjësinë profesionale lidhur me investimet e kryera gjatë kësaj kohë në shkollat e Komunës së Ferizajt.
Rekomandime:
1. Rritja e bashkëpunimit me Këshillin e Nxënësve dhe Këshillin e Prindërve në nivel lokal
2. Tërheqja e investimeve vendore dhe të huaja dhe monitorimi profesional i tyre
3. Hartimi i Strategjisë Lokale për Sigurinë në Shkolla me participim të nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve;
4. Monitorimi i zbatueshmërisë së akteve ligjore dhe nënligjore në fushën e arsimit