23 Dhjetor 2024

Gjenden dorëshkrime dhe dokumente të atdhetarit Ibrahim Lutfiu

Prishtinë, 29 prill - Dorëshkrime për veprimtarinë patriotike të atdhetarit Ibrahim Lutfiu janë gjetur ditë më parë në fshatin Bukosh në komunën e Therandës, në vendin e shtëpisë së atdhetarit të ndjerë, Ramadan Baraliu, i njohur me nofkën Dan Qerimi, i cili ka qenë veprimtar i njohur i kauzës kombëtare dhe bashkëpunëtor i Ibrahim Lutfiut. Lajmin për zbulimin e këtyre dokumenteve e ka konfirmuar për “Epokën e re” nipi i tij, që mban emrin e tij, Ramadan Baraliu, i cili aktualisht është zëdhënës në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”.

Ibrahim Lutfiu ia kishte besuar këto dorëshkrime dhe dokumente vetëm bashkëpunëtorit besnik të tij, Dan Qerimi, një veprimtar i devotshëm për çështjen kombëtare, i cili ka vdekur në vitin 1979, pas helmimit që i kishin bërë agjentët e UDB-së në Spitalin e Prishtinës, të cilët nuk kishin lejuar që ai të kontaktonte me familjen, pasi iu kishte nënshtruar një intervenimi kirurgjik.

Pasi UDB-a veç kishte bërë planin për likuidimin e tij, nuk kishte lejuar që familjarët të kontaktonin me të dhe ai nuk kishte mundur t’i tregonte për vendndodhjen dokumenteve djalit të tij, Shefki Baraliut, i cili kujdesej për të. Si rezultat që nga vdekja e tij, dokumentet kishin mbetur të pazbuluara. Ditë më parë Shefki Baraliu me djemtë Kastriotin, Liridonin dhe Ramadanin, gjatë punimit në vendin e shtëpisë së vjetër, i kanë gjetur dokumentet e fshehura të izoluara dhe të ruajtura relativisht mirë, edhe pse disa prej tyre janë dëmtuar nga lagështia.

Dorëshkrimet e gjetura përmbajnë analiza për gjendjen e shqiptarëve të Kosovës në vitet ’40-ta dhe për përjetimet e Ibrahim Lutfiut, i cili ndiqej në çdo hap nga UDB-a. Ai ka shkruar me dorë të tij për familjet që e kanë përkrahur dhe strehuar në atë kohë, si në Buzhalë, në shtëpinë e atdhetarit Zenun Kepa, në Bukosh, në shtëpinë e atdhetarit Ramadan Baraliu, pastaj në bjeshkën e Bukoshit etj.

Familjarët kanë kontaktuar historianë për botimin e dorëshkrimeve, pasi këta të fundit vlerësojnë se kanë vlerë të madhe historike për atë periudhë. Siç dihet, Ibrahim Lutfiu ka qenë një intelektual dhe veprimtar i devotshëm për çështjen kombëtare dhe anëtar i lëvizjeve të kohës për çlirimin e Kosovës, ndërsa ai ishte vrarë në shtëpinë e atdhetarit Zenun Kepa, në Buzhalë, pasi ishte rrethuar nga xhandarët serbë, të cilit i kishin rënë në gjurmë përmes disa spiunëve nga Buzhala e Maqiteva.
 
Dan Qerimi ka qenë veprimtar i përkushtuar për çlirimin e vendit dhe bashkëpunëtor i Ibrahim Lutfiut, si rezultat para dhe pas vdekjes së tij, agjentët e UDB-së, në bashkëpunim me spiunët vendës, kishin zbuluar veprimtarinë e atdhetarit Ramadan Baraliu, i njohur me nofkën Dan Qerimi, dhe ai deri në helmimin - vdekjen e tij - ishte burgosur e torturuar me dhjetëra herë, derisa dhëmbët një nga një ia kishin shkulur me tytë të revoles, por asnjëherë nuk kishin mundur ta nënshtronin dhe ta devijonin nga rruga për çlirimin e vendit.

Familja e tij vazhdimisht ka qenë e persekutuar, diferencuar dhe në shënjestër të UDB-së. Ai ka qenë inspirim për brezat e rinj, siç e dëshmojnë veprimtari Ali Lajçi, profesori Eqrem Zenelaj e shumë të tjerë. Rruga e tij ishte ndjekur nga i biri Shefki Baraliu, ish i burgosur politik, dhe djali i vëllait, Lulëzimi, të cilët kanë qenë të angazhuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa gruaja e Shefkiut, Shpresa, me djemtë Liridonin, Ramadanin dhe Kastriotin, dhe familjaret e tjerë kujdeseshin për gatimin e bukës dhe furnizim për ushtarët e UÇK-së në fshatin Bukosh dhe me gjerë, pasi UÇK ishte vazhdimësi e rrugës së Ibrahim Lutfiut e shumë veprimtarëve të tjerë për çlirimin e vendit.

Ndërsa edhe sot e kësaj dite, një anëtar i kësaj familje, Ylli, rezulton i zhdukur që nga koha e luftës së fundit, kur ishte kidnapuar nga ushtria dhe paramilitarët serbë. Gjithashtu, shtabi i UÇK-së së Zonës së Pashtrikut ka qenë i venduar në shtëpinë e Sadri Kokollarit, dajës së Dan Qerimit, babait të dëshmorit të parë të zonës, Kadri Kokollar, në vendin ku ka qëndruar edhe Ibrahim Lutfiu.

Sipas historianëve dhe njohësve të veprimtarisë së Ibrahim Lutfiut dhe Ramadan Baraliut, dokumentet e gjetura duhet të kenë rëndësi të veçantë historike.
 
Zenelaj: Lutfiu ka qenë atdhetar i madh
 
Edhe prof. dr. Eqrem Zenelaj ka vlerësuar se Ibrahim Lutfiu ka qenë një atdhetar i madh, i cili ka dhënë një kontribut të çmuar vë veprimtarinë e tij. “Ibrahim Lutfiu ka qenë një intelektual dhe veprimtar i devotshëm për çështjen kombëtare dhe anëtar i lëvizjeve të kohës për çlirimin e Kosovës”, ka deklaruar ai. Prof. Zenalaj ka përmendur se shokë të tij kanë qenë Zenun Kepa dhe Dan Qerimi Bukosh.(Epoka e re)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)