Gati për mbarëvajtjen e provimit shtetëror të maturës
Prishtinë, 5 maj - Provimi shtetëror i maturës sivjet do të mbahet më 7 dhe 21 qershor, ndërkohë kjo datë mund të ndryshojë nëse zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 8 qershor.
Zëvendësministri i arsimit, njëherit edhe kryetar i Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës, Nehat Mustafa, tha për Radio Kosovën, se kjo datë do të ndryshojë, për arsye se Qendrat e Testimit, shkollat, do të shfrytëzohen edhe për Qendra të Votimit.
Ndërkohë, ai bëri të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e provimit shtetëror të maturës, ku pritet ti nënshtrohen rreth 43 mijë maturantë.
Nëse zgjedhjet do të jenë më 8 qershor, atëherë ne jemi të detyruar që ta zhvendosim provimin më 14 qershor, për arsye se shumica e qendrave të testimit, në të njëjtën kohë do të shërbejnë edhe si qendra votimi gjatë zgjedhjeve. Kështu që do të jetë e pamundur nëse testi mbahet me datë 7 qershore e shkollat të përgatiten për zgjedhje për datën tetë , tha Mustafa.(RTK)