Gashi u takua me prof. Bai Yan nga Universiteti Shtetëror i Pekinit
Prishtinë, 31 korrik - Rektori i Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina, prof. dr. Ibrahim Gashi dhe prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar në UP, prof. asoc. Lindita Tahiri, u takuan me profesoreshën nga Universiteti Shtetëror i Pekinit, prof. Bai Yan dhe me prof. Veli Lecaj nga UP-ja, të cilët e bashkëligjërojnë lëndën Kina dhe zhvillimi ekonomik i saj në Universitetin Veror Ndërkombëtar të Prishtinës.
Rektori Gashi shprehu kënaqësinë që prof. Yan po merr pjesë në UVNP dhe theksoi se UP-ja planifikon që ta përforcojë bashkëpunimin me Universitetin Shtetëror të Pekinit dhe me universitete të tjera të Kinës.
Ndërkaq, prof. Yan foli për përvojën e saj të shkëlqyer në Prishtinë dhe shtoi se prania e saj në UVP është dëshmi e globalizimit të UVNP-së. Gjithashtu, në kuadër të bashkëpunimit me universitetet kineze, UP-ja po planifikon organizimin e kurseve të gjuhës kineze për studentët e UP-së dhe për publikun e gjerë.