Gashi takon përfaqësuesit e London School of Economics
Londër, 16 tetor - Me ftesë të Këshillit Britanik, rektori i Universitetit të Prishtinës \'\'Hasan Prishtina\'\', prof. dr. Ibrahim Gashi po e vazhdon vizitën e tij në Londër.
Pas takimeve me përfaqësuesit e Këshillit dhe të Qeverisë britanike, rektori Gashi realizoi sot takime me prof. dr. Keith Sharp dhe znj. Rachel Gibson, udhëheqës të Departamentit për Projekte Ndërkombëtare në London School of Economics (LSE).
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë potenciale të bashkëpunimit mes dy universiteteve. Rektori Gashi e shfrytëzoi rastin që ta informojë Sharp për qëllimin e vizitës, duke i ofruar bashkëpunim konkret në establimin e programeve të përbashkëta të studimit, duke përfshirë Këshillin Britanik në Prishtinë, si fasilitues të këtij bashkëpunimi.
Ndërkaq,Sharp u shfaq entuziast për idenë konkrete dhe me këtë rast u diskutuan disa modele mbi të cilat London School of Economics bashkëpunon me universitete të ndryshme nëpër botë.
Sharp ia propozoi konkretisht rektorit Gashi procedurat që duhet të ndiqen, në mënyrë që në të ardhmen e afërt të lansohen programe të përbashkëta studimi mes dy universiteteve.
Palët u pajtuan që në takimet e radhës në Prishtinë ose në Londër të konkretizohen veprimet në mënyrë që bashkëpunimi të konkretizohet në nivel të departamenteve të ekonomisë mes dy universiteteve.