Gashi i informoi deputetët për punën e Universitetit
Prishtinë, 15 korrik - Rektori Gashi dhe stafi i tij pritën në një takim anëtarët e komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media.
Rektori i Universitetit të PrishtinësHasan Prishtina, prof.dr.Ibrahim Gashi dhe stafi i tij, pritën në një takim anëtarët e komisionit parlamentar për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Ramë Vataj, Teuta Haxhiu, Sadri Ferati dhe Milivoje Stojanoviç.
Rektori Gashi i informoi anëtarët e komisionit parlamentar për aktualitetet në UP, prioritetet dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Universiteti.
Rektori Gashi shprehu konsideratën për interesimin që komisioni parlamentar tregon për mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe në tërësi për përformancën në UP, duke e konsideruar si një përkrahje shumë domethënëse për menaxhmentin e ri të UP-së.
Nga ana tjetër anëtarët e komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media trajtuan dhe tema specifike, si konkursi për stafin akademik, procesi i akreditimit, konkursi për pranimin e studentëve të rinj,etj, dhe u shprehën shumë të kënaqur me përkushtimin dhe seriozitetin me të cilin menaxhmenti i UP-së i trajton këto çështje.
Të dy palët u pajtuan për një komunikim dhe koordinim intensiv, veçmas në proces të rishikimit të hartimit të akteve ligjore dhe nënligjore për arsimin e lartë.