Gagica: 2019-ta shquhet për partneritet me qeveritë mike në arsim
Gjilan, 19 dhjetor - Drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica, ka thënë se partneriteti me qeveritë mike, ka ndikuar drejtpërdrejtë në ngritjen e cilësisë së këtij sektori në Gjilan.
“Faleminderit qeverisë së Britanisë së Madhe për mbështetjen në projektin “Shkollat e shekullit 21”, qeverisë së Luksemburgut për mbështetjen në projektet arsim dhe aftësim profesional për shkollat profesionale, sikurse edhe USAID, Ambasadën e ShBA’ve, Tika, Save the Children, Agjencionin Austriak për Zhvillim e zyrën e BE’së. Pra, 2019-ta është viti që shquhet për partneritetin me qeveritë mike të Gjilan, në mbështetjen e jashtëzakonshme të sektorit të arsimit”, ka thënë Gagica, në konferencën për media të enjten.
Sa i përket infrastrukturës, Gagica ka njoftuar se janë furnizuar nëntë palestra me pajisje sportive, sikurse që janë ndërtuar dy palestra sportive, në shkollën “Ibrahim Uruqi” dhe në shkollën “Rexhep Elmazi.
“Përpos këtyre, e kemi hapur paralelet parashkollore në shkollat, “Musa Zajmi” dhe “Rexhep Elmazi”. Po ashtu, në shkollën “Mehmet Isai” e rregulluar hapësirën për kabinete dhe laboratorin për nevoja të nxënësve aty, derisa në shkollën e Uglarit kemi bërë renovimin e përgjithshëm falë donatorit nga Zvicra. Ndërkaq, shkolla nën fshatin Haxhaj është në fazën finale dhe pritet të inaugurohet në gjysmëvjetorin e dytë”, ka thënë Gagica.
“Pajisja e shkollave me mekanizëm digjital ka qenë, po ashtu, njëra nga synimet tona, që është arritur këtë vit, duke filluar nga tabelat e mençura, furnizimi me kamera në pothuajse të gjitha shkollat e komunës së Gjilanit, deri tek pajisja e të gjitha shkollave me mikrobit”, shtoi ai.
Ai ka përmendur edhe investimet në fushën e inovacionit.
“Te inovacioni, kemi implementuar projektin qasja me më shumë mësimdhënës për klasat e treat, katërta dhe pesta, për të vazhduar më vonë edhe në tri shkolla të tjera. Kemi hapur edhe qendrat mediatike në “Thimi Mitko” dhe “Zija Shemsiu” si dhe qendren për ndërmarrësi dhe inovacione në gjimnazin natyror “Xhavit Ahmeti”, ka deklaruar Gagica.
Ai ka përmendur edhe suksesin në realizimit e mësimit në dy ndërrime, në shkollën “Thimi Mitko”.
Drejtori i Arsimit ka paralajmëruar se së shpejti pritet të nis ndërtimi i çerdhes në lagjen Arbëria, duke e mbuluar kështu atë pjesë të qytetit, së bashku me Lagjen e Vishnjeve.
Në fund, drejtori i DKA’së e ka falënderuar kryetarin Haziri që vazhdon ta ketë pritoritet të qeverisjes sektorin e arsimit.â