Fuqia e shkathët punëtore shtyllë e zhvillimit ekonomik
Prishtinë, 31 gusht Plotësimi i nevojave në tregun e punës me fuqi të shkathët punëtore dhe lidhja mes mësimit teorik dhe atij praktik, ishin disa nga temat të cilat u diskutuan sot në tryezën me temën Edukimi për Punë Plotësimi i nevojave në tregun e punës, organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Krahas panelit të përbërë nga Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, Kryesues i Komitetit të Edukimit në Odën Amerikane, Alejtin Berisha, Enkelejda Shatri nga Akademia Evolucion dhe Menaxheri Ekzekutiv në Orbico, Fikret Havolli, të pranishëm në këtë organizim ishin edhe përfaqësues të bizneseve anëtare të Odës Amerikane. Ndërsa, tryeza u moderua nga Ardi Shita, Sekretar i Përgjithshëm i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane.
Në hapje të tryezës, Shita theksoi përpjekjet e vazhdueshme që po bën Republika e Kosovës në tërheqjen e investitorëve të huaj, të cilët gjithmonë kanë nevojë për kuadro të kualifikuar dhe të përgatitur për tregun e punës.
Ai më tej përmendi reformat e Qeverisë së Kosovës me pakon e re fiskale, ku parashihet që shpenzimet e sektorit privat sa i përket trajnimit do të njihen si shpenzime të zbritshme, duke shtuar që kjo është një shenjë shumë e mirë për sektorin privat, mirëpo ka nevojë edhe për lehtësira tjera në të ardhmen.
Ministri Bajrami vlerësoi se diskutime të tilla mundësojnë planifikimin dhe rishikimin e politikave publike në sektorin e arsimit, për vet faktin se çdo reformë në sistemin arsimor të Kosovës duhet të ketë parasysh nevojat e zhvillimit ekonomik dhe nevojat e tregut.
Ai më tej shtoi se Ministria që ai drejton, veqse ka filluar proceset strategjike që arsimi parauniversitar, sidomos niveli i shkollave fillore dhe të mesme, të jetë një kohë e orientimit në karrierë dhe orientimit drejt tregut të punës.
Duke qenë i pakënaqur me sistemin arsimor dhe posaqërisht me konceptin e arsimit profesional në Kosovë, Ministri Bajrami tha se është duke u punuar shumë në drejtim të ndërtimit të standardeve afatgjate të arsimit profesional, në mënyrë që të kemi një sistem edukimi të bazuar në cilësi, kompetenca, shkathtësi dhe në harmoni me ekonominë e tregut.
Në anën tjetër Berisha, diskutoi mbi nevojën e profilizimit të universiteteve, si një hap drejt përgatitjes së kuadrove të nevojshme për tregun e punës, duke e vlerësuar si të domosdoshme lidhjen e arsimit dhe ekonomisë. Ai gjithashtu përmendi edhe mungesën e kudrove në sektorin e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës, e cila sipas tij duhet të zhvillohet më tepër. Berisha ftoi bizneset që të jenë pjesë e reformave të sistemit arsimor, përmes rekomandimeve dhe sugjerimeve nga përvoja e tyre e përditshme.
Enkelejda Shatri nga Akademia Evolucion ndau përvojën e saj mbi zbatimin e teorisë në praktikë, në rastin e institucioneve arsimore që ofrojnë shkollim në drejtime specifike. Ajo vuri në theks rëndësinë e përgatitjes së menjëhershme profesionale të studentevë, krahas studimeve të tyre teorike. Shatri shtoi se në bashkëpunim me ekspertët e tregut, përgatitja e kurrikulave të duhura në harmoni me atë se çfarë kërkohet në treg vendor, por njëkohësisht edhe atë evropian, është një parakusht për reforma gjithëpërfshirëse.
Ndërsa, Fikret Havolli nga kompania Orbico shprehu shqetësimin e tij sa i përket disbalanceve në mes të kërkesës dhe ofertës në tregun e punës, duke shtuar se cilësia e ofruar në tregun e punës nuk i përmbush kërkesat e tregut, gjegjësisht të bizneseve. Më tej, ai theksoi mungesën e kuadrove të përgatitura, trajnuara dhe profesionalizuara, të cilat i cilësoi si esenciale për biznesin dhe ekonominë në përgjithësi. Në mënyrë që të arrihen rezulate konkrete dhe ndryshime në këtë drejtim, Havolli tha se është i domosdoshëm bashkëpunimi në mes të Qeverisë, institucioneve arsimore dhe biznesve, si palët kryesore në këtë fushë.
Tryeza vazhdoi me komente dhe pyetje të ndryshme nga pjesëmarrësit, ku u ndanë përvojat për vështirësitë dhe sfidat që bizneset i kanë hasur në aspekt të gjetjes së punëtorëve me shkathtësitë e synuara. Në fund, u ritheksua nevoja për një bashkëpunim më të ngushtë mes bizneseve, qeverisë dhe institucioneve arsimore për të pasur politika më të favorshme që mundësojnë nxjerrjen e kuadrove më cilësore në tregun e punës.