Forcohet bashkëpunimi mes SBASHK-ut dhe Sindikatës Shqiptare të Arsimit
Prishtinë, 30 gusht - Në kuadër të punëtorisë për përgatitjen e një plani lidhur me hapat konkret që duhet ndërmarrë në realizimin në plotëni të Kontratës Kolektive të Arsimit dhe të ndërrimeve e plotësimeve në Statut, Këshilli Drejtues i SBASHK-ut ka organizuar një takim pune me përfaqësues të Sindikatës së pavarur të Arsimit të Shqipërisë.
Ky takim ka bërë që të forcohet edhe më shumë bashkëpunimi i SBASHK-ut me Sindikatën shqiptare të Arsimit dhe është arritur marrëveshje që dy grupe punuese të përgatisin një plan konkret strategjik për angazhime të përbashkëta dhe në përkrahjen konkrete që këto dy sindikata do t'i ofrojnë njëra-tjetrës në përballje me sfidat e përditshme.
Kryetari i Sindikatës së pavarur të Arsimit të Shqipërisë, Nevruz Kaptelli duke folur në emër të mësuesve shqiptarë që përfaqëson kjo sindikatë, ka vlerësuar lartë angazhimet dhe arritjet e SBASHK-ut në misionin e saj të mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve të arsimit në Kosovë dhe për arritjet, që si tha ai, janë për çdo lëvdatë.
Kaptelli dhe përfaqësuesi tjetër i kësaj sindikate, Isa Halili janë pajtuar që të jetësohet ideja për përgatitjen e një plani të përbashkët strategjik të angazhimeve të përbashkëta në nivel të dy vendeve, por edhe në nivelin ndërkombëtar.
Ky plan strategjik do të saktësonte veprimet konkrete për angazhime të përbashkëta në përkrahjen konkrete që këto dy sindikata do t'i ofrojnë njëra-tjetrës në përballje me problemet aktuale në arsimin e të dy vendeve, probleme këto, që si u rikujtua nga pjesëmarrësit nuk janë të vogla.
Përfaqësuesit e Sindikatës së pavarur të Shqipërisë kanë marrë pjesë aktive edhe në pjesën tjetër të punëtorisë duke kontribuar me përvojën shqiptare lidhur me veprimet që duhet ndërmarrë për të jetësuar kërkesat e anëtarësisë .
Ata kanë dhënë shembuj edhe për çështje që lidheshin me Statutin e një sindikate në mënyrë që ai të jetë sa më funksional dhe në shërbim të punës sa më dinamike e të suksesshme të organeve të sindikatës nga shoqata e deri të niveli qendror.
Kryetari i SBASHK-ut ka bërë një prezantim të angazhimeve dhe sfidave në SBASHK-ut duke përkrahur idenë përforcimin e bashkëpunimit me Sindikatën shqiptare të arsimit.
Ai ka përsëritur sfidat dhe vendimet e bëra publike të SBASHK-ut në përpjekjet për realizimin e tërësishëm të Kontratës Kolektive të Arsimit në Kosovë dhe është shprehur se pret, që edhe tani si gjithmonë, sindikata shqiptare e arsimit të jetë në përkrahje të gjithë angazhimeve sindikale të SBASHK-ut në përpjekjet për realizimin e misionit të saj për realizimin e kërkesave të anëtarësisë.
Të dy sindikatat janë pajtuar se me planin strategjik do ta forcojnë edhe përkrahjen për njëra-tjetrën edhe në nivelin ndërkombëtar.