FIQ përkujton 325 mësimdhënësit, dëshmorë dhe martirë
Prishtinë, 7 mars - Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) uron mësimdhënësit për 7 Marsin – Ditën e Mësuesit. Me rastin e kësaj dite FIQ përkujton veçmas 325 mësimdhënësit e rënë gjatë luftës në Kosovë, si dëshmorë dhe martirë.
Mësimdhënësit e Kosovës janë pjesë e pandashme e përpjekjeve të qytetarëve të Kosovës për liri, dije dhe demokraci.
Përkushtimi i tyre për dije dhe për shtet u dëshmua duke iu përgjigjur formimit të shtetit të Kosovës me institucionet e veta shkollore shtëpi-shkolla.
Pa kushte elementare për të zhvilluar mësimin kuadri arsimor para luftës edukoi dy gjenerata. Ata ishin të përndjekur dhe të kërkuar për zhdukje nga forcat serbe për shkak të aktivitetit të tyre për të realizuar të drejtën e arsimimit në gjuhën amtare, e drejtë kjo e garantuar edhe me Konventat Ndërkombëtare.
Rasti më i rëndë i kësaj dëshmie është drejtori i shkollës fillore në Strellc të Epërm, Haki Povata, i cili në vitin 1992 vdiq në stacionin e policisë në Deqan nga maltretimet që iu bënë.
Drejtoresha ekzekutive e FIQ-it, Dajana Berisha ka marrë iniciativën për të nderuar të gjithë mësimdhënësit dëshmorë e martirë të Kosovës me mirënjohje. Berisha ka vizituar familjen e Mustafë Blakaj një nga 325 mësimdhënësit e rënë gjatë luftës në Kosovë.
Familja Blakaj është shprehur e nderuar me mirënjohjen e ndarë nga FIQ. Kadire Blakaj, bashkëshortja e mësimdhënësit ka folur për aktivitetin e bashkëshortit të saj. Ajo ka kërkuar nderim edhe nga ana e institucioneve për mësimdhënësit e rënë.
“Nderimi për kontributin e mësimdhënësve, është detyrim shoqëror dhe institucional, - I përjetshëm, qoftë kujtimi i të gjithë mësimdhënësve, që kanë dhënë dije dhe jetën e tyre për lirinë e Kosovës, - ka thënë Berisha gjatë kësaj vizite në familjen Blakaj në komunën e Istogut.
FIQ do të vazhdojë me ndarjen e mirënjohjeve familjeve të mësimdhënësve të vrarë.