Filluan diskutimet për çerdhet me bazë në komunitet
Prishtinë, 30 korrik -Të martën, më 29 korrik, Komuna e Prishtinës mbajti takimin e parë publik me banorët e lagjes Mati për funksionalizimin e çerdhes me bazë në komunitet. Fitore Pacolli, drejtuese e Kabinetit, së bashku me Fatos Osmanin, zyrtar i lartë i Arsimit në Drejtorinë komunale të arsimit prezantuan para banorëve modelin e ri të çerdhes me bazë në komunitet që do të hapet në shtator të këtij viti.
Model i çerdhes me bazë në komunitet, i cili do të fillojë si pilot projekt gjatë shtatorit në lagjen "Mati" ku dhe ka filluar rinovimi i objektit, është dizajnuar në përputhje me Ligjin "Mbi Edukimin Parashkollor Nr. 02/L-52" dhe Udhëzimin Administrativ Nr. 42/2007.
Gjatë diskutimit me banorët u vendos që të hartohet një listë me emrat e prindërve të lagjes të cilët kanë nevojë për çerdhe. Lista pritet të hartohet gjatë javës.
Takimi i radhës u caktua të mbahet të martën, më 5 gusht, në ora 18:00 në shkollën fillore Mitrush Kuteli.