Fillon viti i ri shkollor
Ministria e arsimit, shkencës dhe teknologjisë e Kosovës ka thënë se i ka bërë të gjitha përgatitjet për fillim të mbarë të vitit të ri shkollor.
Zyrtarë të lartë të Kosovës u kanë uruar nxënësve, prindërve, arsimtarëve dhe të tjerëve fillimin e vitit të ri shkollor në Kosovë.
Më këtë rast Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, në urimin e tij për nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit ka thënë ky vit shkollor do të jetë i suksesshëm.
"Me dëshirën që suksesi të mos ju mungojë asnjëherë dhe që të kenë shëndetin e mirë, uroj veçanërisht ata nxënës, të cilët këtë vit për herë të parë fillojnë rrugën e dijes", ka thënë Buja.
Edhe Kryeministri në detyrë i Kosovës, Hashim Thaçi, uron nxënësit dhe mësimdhënësit me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2014/2015.
Nesër, kudo në shkollat e Kosovës hapen dyert për fillimin e vitit të ri shkollor dhe ju do të ballafaqoheni me punë, disiplinë dhe përkushtim për rezultate sa më të mira. Qeveria e Republikës së Kosovës është përpjekur vazhdimisht që të përmirësojë kushtet materiale dhe financiare për tu zhvilluar sa më normalisht procesi mësimor", ka theksuar Thaçi.