03 Maj 2024

Fillon viti akademik në Universitetin “Haxhi Zeka“

Pejë, 7 shtator - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik, ka vizituar Universitetin Publik “Haxhi Zeka” në Pejë, me ç`rast ka përuruar edhe Bibliotekën Universitare në këtë institucion të lartë të arsimit.

Ministri Buja ka zhvilluar një takim të shkurtër me stafin menaxhues dhe përfaqësues të studentëve të këtij institucioni, të cilëve ju uroi fillim të mbarë të vitit të ri akademik.

“Sa herë që vij këtu, që nga fillimi i themelimit, ndjehem i gëzuar me rezultatet që keni mbërritur. Jam i informuar se në këtë universitet janë të angazhuar 120 doktorë shkencash dhe kjo na  bën të ndjehemi edhe më optimist për  sukseset dhe perspektivën që ka ky institucion në të ardhmen“, tha ministri Buja, dhe theksoi se ky universitet dhe universitetet tjera publike do të kenë përkrahjen e vazhdueshme të Qeverisë së Kosovës në drejtim të ngritjes së cilësisë.

Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, z. Naser Mrasori, e informoi ministrin Buja për angazhimin e këtij institucioni për fillimin e mbarë të vitit të ri akademik. Ai theksoi se interesimi i maturantëve për t’u regjistruar në këtë universitet është shumë i madh. “Kjo na bën të ndjehemi mirë dhe të besojmë në perspektivën e këtij institucioni në të ardhmen”, tha ai.

Ndërkaq, më pas, ministri Buja dhe kryetari i Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri, përuruan Bibliotekën e Universitetit, ku ministri Buja tha se kjo bibliotekë, e cila është relativisht e pasur me tituj shkencorë, u ndihmon studentëve jo vetëm për të marrë njohuri nga ligjëratat, por edhe të thellojnë njohuritë hulumtuese dhe shkencore në lëmi të ndryshme.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)