Fillon të mbahet testi ndërkombëtar TIMSS
Prishtinë, 24 prill - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), ka filluar sot mbajtjen e testit ndërkombëtar TIMSS për vlerësimin e nxënësve për klasat e katërta për prirjet në matematikë dhe shkenca natyrore.
Në këtë vlerësim, i cili ka filluar sot në regjionin e Prizrenit dhe Gjakovës dhe do të zgjasë deri më 10 maj 2019 në regjionet tjera, do të marrin pjesë rreth 5 mijë nxënës nga 148 shkolla të Kosovës.
Testi TIMSS organizohet nga Organizata Ndërkombëtare për Vlerësimin e të Arriturave në Arsim (IEA), ndërsa në këtë vlerësim marrin pjesë 60 shtete, ndër të cilat edhe Kosova.
Komisioni shtetëror për testet ndërkombëtare i emëruar nga ministri Shyqiri Bytyqi, gjatë ditës ka mbajtur një takim, ku është theksuar se falë bashkëpunimit të mirë me komunat, gjithçka ka shkuar sipas planifikimit dhe testi ka filluar të realizohet me sukses.
TIMSS mbahet çdo katër vjet, ndërsa në Kosovë po realizohet për herë të parë.