Fillon projekti pilot për sisteme ekologjike të ngrohjes
Prishtinë, 25 gusht - Në shkollat fillore dhe të mesme, Komuna e Prishtinës ka vendosur që nga ky vit të fillojmë me ndërrimin e sistemit të ngrohjeve. Ky ndryshim do të fillojë me shkollat, por nuk do të ndalet në to. Në të ardhmen ky plan i ngrohjes do të realizohet edhe në institucione të tjera të administruara nga Komuna.
Këtë vit po e pilotojmë zëvendësimin e kaldajave me naftë me një sistem bashkëkohor të ngrohjes me paleta. Zëvendësimi do të fillojë nga 6 shkolla në Komunën e Prishtinës. Ky sistem bashkëkohor na garanton dhe eliminimin e ndotjes së ambientit si dhe është shumë më ekonomik dhe shmang plotësisht rreziqet e mundshme nga kaldajat.
Në shkollat ku ngrohja bëhet nga \"Termokosi\", ngrohja do të monitorohet dhe po ashtu do të planifikohen edhe metoda të tjera për ngrohjen në rast defektesh.
Komuna e Prishtinës synon që brenda 3 viteve të eliminojë tërësisht ngrohjen me naftë në shkolla dhe mundësisht edhe në institucionet tjera të Komunës.