Fillon procesi i Provimit të Maturës Shtetërore në gjthë Kosovën
Prishtinë, 29 gusht - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, vizitoi Shkollën e Mesme të lartë Ekonomiko Juridike Hoxhë Kadri Prishtina, në Prishtinë, në të cilën Provimit të Maturës Shtetërore në afatin e gushtit, testit i janë nënshtruar mbi 400 nxënës.
Ministri Bajrami, me këtë rast ka vlerësuar se procesi i Provimit të Maturës Shtetërore është organizuar me shumë përgjegjësi dhe përkushtim nga ana e KQShM-së.
Edhe në afatin e parë kemi pasur një maturë të organizuar mirë, duke ditur se asnjëherë nuk mund të ketë proces perfekt të maturës. Kjo shkollë është zgjedhur si një shkollë model, për të treguar edhe përkushtimin e Ministrisë së Arsimit në reformimin e shkollave profesionale, theksoi ministri Bajrami.
Ministri Bajrami ka shprehur besimin e tij për një maturë të sukseshme, ndërkaq ka shtuar se MAShT-i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për një vit shkollor, në të cilin do të ketë ngritje substanciale të cilësisë.
Ministri Bajrami, po ashtu ka bërë të ditur se rezultatet e Provimit të Maturës do të shpallen më 15 shtator, duke i siguruar maturantët se, afatet e provimeve pranuese nuk do të shpallen para publikimit të rezultateve.
Si ministër kam marrë të gjitha masat që afati i dytë i regjistrimit të shtyhet deri në publikimin e rezultateve, në mënyrë që asnjë maturantë të mos mbetet pa aplikuar në universitetet publike, është shprehur ministri Bajrami.
Ndërsa, kryetari i Komisionit Qendrorë Shtetërorë të Maturës, z. Azem Guri ka bërë të ditur se, administruesit kanë arritur me kohë në Qendrat e Testimit dhe se janë duke kryer përgjegjshëm detyrat e përcaktuara nga KQShM.
Testit të Maturës do ti nënshtrohen 15650 nxënës, ndërkaq për administrim të suksessëhm të provimit janë angazhuar 203 komisioner nga MASHT, 162 komisioner nga DKA, 1140 administrues, 224 mbykqyrës dhe KQSHM.
Provimi i Maturës Shtetërorë do të organizohet në 29 komuna të Republikës së Kosovës, 95 lokale shkollore, 162 Qendra tëTestimit.
Testi përmban 120 pyetje (50 në gjuhë amtare, 40 në gjuhë angleze dhe 30 në matematikës), i përgatitur në gjuhë shqipe, turke, boshnjake dhe serbe dhe zgjatë 180 minuta.