Fillon mbajtja e kurseve për pjesëtarët e FSK-së
Prishtinë, 17 janar - Në kazermën Skënderbeu të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes(KDS), të FSK-së në Ferizaj, u mbajt ceremonia e fillimit të mbajtjes së kurseve për pjesëtarët e FSK-së për vitin 2017.
Për të përcjellë këtë ceremoni të pranishëm ishin: Ministri i MFSK-së, zoti Haki Demolli; gjeneral brigade Zymer Halimi, drejtor i Drejtorisë për Operacione; komandanti i KDS-së, gjeneral brigade Enver Cikaqi; zv. komandanti i KFOR-it amerikan në Bondstel, koloneli Suver; shefi i Shtabit të KFT-së, kolonel Naim Haziri; komandanti i BRSH-së, kolonel Xhevahir Geci; zv. komandanti i KDS-së, kolonel Irfete Spahiu; këshilltarë të NLAT-it, oficerë të lartë dhe pjesëtarë të FSK-së.
Ceremonia filloi me intonimin e himnit shtetëror të Republikës së Kosovës, dhe është e një rëndësie të veçantë sepse për kursantët shënon ditën kur ata fillojnë udhëtimin e tyre drejt ngritjes së karrierës profesionale dhe përfitimit të njohurive dhe përvojave të reja, ndërsa për stafin e KDS-së dhe instruktorët e saj, shënon ditën kur ata fillojnë ekzekutimin e një plani i cili ka kaluar nëpërmes një procesi të gjatë të planifikimit dhe përgatitjeve të kurseve për liderë luftarakë, për informatikë, për procedurat e udhëheqjes së trupave, etj.
Me këtë rast, ministri i FSK-së, z. Haki Demolli, premtoi mbështetjen e FSK-së në këtë drejtim edhe në të ardhmen, duke shtuar, se: Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes po vazhdon të jetë një ndër aktorët kryesorë dhe jetikë për arsimimin dhe stërvitjen e pjesëtarëve tanë, qoftë në aspektin individual, qoftë në atë kolektiv, e cila është rritur dhe zhvilluar ndër vite dhe është konsoliduar mjaft mirë në përputhje me kërkesat dhe nevojat arsimore dhe stërvitore të njësive të FSK-së.
Ministri Demolli, më tej shtoi: Ne si ministri kemi nxjerrë objektivat dhe kemi hartuar politikat e stërvitjes, dhe synimi ynë është që përmes arsimimit dhe stërvitjes të formojmë ushtarë dhe personel të motivuar, të disiplinuar dhe të aftë, që veprojnë si individë, në përbërje të grupit të njësisë. Këto cilësi formohen, zhvillohen dhe përhapen nëpërmjet programeve institucionale të organizuara në përudha dhe afate kohorë, faza dhe module në institucionet e stërvitjes. Ne si ministri si dhe Qeveria e Kosovës është e përkushtuar të mbështesë në të gjitha fushat nevojat dhe kërkesat tuaja për stërvitje, bazuar në programet bashkëkohore.
Ministri Demolli, në fund falënderoi stafin udhëheqës, pjesëtarët e KFOR-it, këshilltarët, kursantët dhe pjesëmarrësit e tjerë.
Ndërsa, drejtori i Drejtorisë së Operacioneve në MFSK, gjeneral brigade Zymer Halimi përshëndeti të pranishmit në emër të komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rraham Ramës, duke shtuar: Sot është një ditë e veçantë për ne, sepse po shënojmë fillimin e aktiviteteve si, shkollimin e pjesëtarëve të FSK-së për vitin 2017, si vazhdimësi të ngritjes tonë profesionale dhe me standarde të nivelit ndërkombëtar.
Kurse, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes-gjeneral brigade Enver Cikaqi, gjatë fjalës së tij, me këtë rast, tha se, për ta realizuar misionin tonë po zhvillojmë kurse të ndryshme profesionale me anë të të cilave synojmë zhvillimin, edukimin dhe trajnimin e ushtarakëve dhe udhëheqësve për aftësimin e pjesëtarëve tanë, duke ndikuar kështu në ngritjen e një force profesionale. Gjatë këtij viti në KDS do të realizohen 30 kurse me gjithsej 51 gjenerata të kursantëve, duke përfshirë të gjitha njësitet e FSK-së. Sot po fillojmë me disa prej tyre, si: kursi për informatikë, për procedurat e udhëheqjes së trupave, për lider luftarak, për patentë shofer dhe kursi i gjuhës angleze.
Të gjitha këto kurse do të zhvillohen në Qendrën për Zhvillim Profesional të Udhëheqësve, Qendrën e Stërvitjes Specialistike, Qendrën e Stërvitjes Kolektive, Qendrën e Stërvitjes Bazike dhe Qendrën për Studime Universitare. Gjeneral Cikaqi, theksoi se këto kurse janë shumë të rëndësishme për ngritjen profesionale të pjesëtarëve të FSK-së.
Ai potencoi edhe bashkëpunimin e mirë, që KDS-ja ka me të gjitha institucionet e Qeverisë së Kosovës, si ato lokale, qendrore, regjionale, organizatat joqeveritare, NALT-in, KFOR-in amerikan dhe partnerë tjerë të rajonit.
Komandanti i KDS-së, gjeneral Cikaqi, falënderoi MFSK/FSK-në, KFOR-in amerikan, këshilltarët e NALT-it, për mbështetjen në realizimin e detyrave të përgjithshme, si dhe nga instruktorët e FSK-së kërkoi angazhim edhe gjatë këtij viti, se vetëm me punë profesionale dhe këmbëngulëse mund të arrini rezultate të shkëlqyeshme dhe të bëheni shembull i mirë për të tjerët.
Ceremonia u përmbyll me tri valle të ekzekutuara nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Lidhja e Prizrenit nga Prizreni.