Fillon konferenca sindikatat e mësimdhënësve, arritjet dhe sfidat
Prishtinë, 10 dhjetor - Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBAShK) dhe Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) organizon sot konferencën ndërkombëtare në Prishtinë.
Konferenca siguron mundësi për shkëmbim të përvojave dhe dijes me sindikatat e mësimdhënësve nga rajoni në lidhje me mënyrat më efektive të realizimit të dialogut social dhe ofrimit të shërbimeve cilësore për anëtarët e tyre.
Konferenca është pjesë e projektit të financuar nga BE Përforcimi i rolit të sindikatës së mësimdhënësve në politikëbërje, i cili projekt synon përforcimin e kapacitetit të SBAShK-ut për pjesëmarrje më të madhe në dialogun social, politikëbërje dhe vendimmarrje.
Përmirësimi i kapaciteteve të SBASHK-ut do ti kontribuojë rritjes së performancës në përfaqësimin e nevojave dhe interesave të anëtarëve, si dhe për negocimin në emër të tyre me partnerët social në nivel lokal dhe shtetëror.
Në këtë Konferencë do të jenë pjesëmarrës përfaqësues nga Sindikata e Arsimit të Holandës, Sllovenisë, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, përfaqësuesja e zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë, përfaqësues të MASHT-it dhe organizatave që merren me arsimin, Drejtorët e DKA-ve dhe përfaqësues të SBASHK-ut nga niveli qendror, Universiteti dhe niveli komunal. Gjithsej pritet të jenë 150 pjesëmarrës.