Fillon Java e Albanologjisë
Në këtë edicion, që është i pesti me radhë, po marrin pjesë studiues dhe albanologë nga Kosova, Shqipëria dhe vende tjera të rajonit.
Ministri Buja, me këtë rast, ka përgëzuar organizatorin për vazhdimin e suksesshëm të traditës tashmë të krijuar rreth organizimit të kësaj konference shkencore, ku studiues e punonjës shkencorë do të prezantojnë kumtesa nga fusha të ndryshme të albanologjisë.
Sa herë që gjendem në këtë ambient, ndjehem i nderuar për faktin se ky institucion, di, do, mundet dhe bën punë, tha ministri Buja, ndërsa theksoi se konferenca shkencore Java e Albanologjisë nuk ka si të mos ngjallë admirim te të gjithë ata që ja duan të mirën kësaj fushe.
Kjo javë zhvillon punimet në 5 fusha: gjuhësi, letërsi, histori, etnologji dhe folklor, të ndara në 5 sesione, në të cilat do të paraqiten 110 kumtesa, për të cilat ministri Buja u shpreh sekjo është një pasuri e madhe.
Ministri Buja përgëzoi studiuesit për punën hulumtuese dhe shkencore që po bëjnë, ndërsa premtoi mbështetjen e institucioneve të Kosovës edhe në të ardhmen.
Ata që punojnë, të mos dyshojnë kurrë në mbështetjen që do ta kenë nga institucionet e Republikës së Kosovës, sepse vetë puna provokon, në kuptimin më pozitiv, ata të cilët e dinë ç`është dija, tha ministri Buja në fund të fjalës përshëndetëse.
Të pranishmit i përshëndeti edhe drejtori i Institutit Albanologjik, z. Hysen Matoshi, i cili, ndër të tjera, falenderoi MASHT-in dhe ministrin Buja, për mbështetjen e vazhdueshme të punës shkencore të këtij Instituti.
Ndërsa Lulëzim Lajçi, punonjës i Institutit, prezantoi 20 titujt e botimeve shkencore brenda periudhës 2013 nga ana e Institutit Albanaologjik.