22 Dhjetor 2024

Fillon edicioni i 20-të i Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës

Prishtinë, 5 korrik - Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka nisur sot edicionin e 20-të të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës.

Ndryshe nga 19 edicionet paraprake, këtë vit universiteti veror po mbahet në formë virtuale, por, ashtu si në vitet e kaluara, ky program ka bashkuar rreth 300 studentë vendorë dhe ndërkombëtarë nga vendet si: Franca, Gjermania, Suedia, Turqia, Shqipëria, Egjipti, Serbia dhe Mali i Zi.

Hapjen e ceremonisë e bëri prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar, prof. asoc. dr. Albulena Blakaj, e cila tha që UP-ja, si nikoqir, do të dëshironte që kjo përshëndetje të bëhej në hapësirat e kampusit të Universitetit të Prishtinës, por realizimi i universitetit veror me prezencë fizike u pamundësua nga pandemia Covid-19.

Në fjalën e tij, rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, u shpreh i nderuar që po përshëndet nisjen e edicionit të 20-të të UVP-së, i cili paraqet njërin ndër projektet më serioze në fushën e shkëmbimit akademik dhe kulturor në vendin tonë.
“Pjesëmarrjen tuaj në UVP e konsideroj si një mundësi të artë për të përfituar njohuri nga profesorë dhe intelektualë nga vende të ndryshme të botës. Prandaj, ju ftoj që të nxirrni më të mirën nga ky universitet veror, duke ndihmuar kështu veten dhe kolegët tuaj që të zgjeroni njohuritë përmes shkëmbimit ndërkulturor, i cili, në të ardhmen, do t’ju shërbejë shumë për ngritje profesionale dhe personale,” ishin fjalët e rektorit Sahiti për studentët pjesëmarrës në këtë edicion të UVP-së.

Ndërkaq, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku, uroi për lansimin e këtij edicioni, duke shtuar se kjo ngjarje është një mundësi e mirë që përtej kurrikulave akademike, studentët dhe ligjëruesit të krijojnë miqësi të reja dhe të zgjerojnë njohuritë e tyre.

Nisja e edicionit të 20-të të UVP-së u përshëndet edhe nga zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, z. Dukagjin Pupovci. Ai e vlerësoi lart rolin e Universitetit Veror të Prishtinës, duke e konsideruar si një mundësi të mirë për studentët nga vende të ndryshme të botës.

Edicioni i 20-të i UVP-së ka për qellim që t’i ofrojë mundësinë studentëve pjesëmarrës nga e mbarë bota që të përfitojnë nga metodat e reja të ligjërimit dhe kërkimit shkencor, si dhe të ndajnë përvojat dhe njohuritë e tyre në një rrafsh virtual.

Në këtë edicion të UVP-së gjithsej 14 kurse do të ligjërohen nga 14 profesorë vendorë dhe po aq ndërkombëtarë, të cilët vijnë nga shtetet si: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Britania e Madhe, Rumania, Shqipëria, Greqia, Bullgaria, Polonia, Turqia dhe Kroacia.

Të gjitha kurset në UVP-së mbahen në gjuhën angleze. Përveç kurseve të cilat mbulojnë fusha të ndryshme studimi, studentët pjesëmarrës në UVP mund të marrin pjesë edhe në punëtoritë dhe aktivitetet e ndryshme kulturore, të cilat janë përgatitur në kuadër të këtij programi.

UVP-ja ka nisur sot dhe do të përfundojë më 16 korrik 2021.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)