Fillojnë punimet për ndërtimin e shkollës së re në fshatin Gjonaj të Hasit
Prizren, 8 dhjetor - Me rastin e fillimit të punimeve për ndërtimin shkollës së re në fshatin Gjonaj të Hasit, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Xhemile Thaçi Vezgishi sot kanë vizituar hapësirën ku do të ndërtohet ky objekt shkollor dhe panë nga afër mbarëvajtjen e punimeve.
Me këtë rast, kryetari Haskuka tha se ky objekt do të përfshijë një sipërfaqe prej 1,808 metër katrorësh dhe se përveç 9 klasave mësimore dhe hapësirave tjera bazike që nevojiten për një mësimdhënie dhe mësimnxënie cilësore, do të posedojë edhe bibliotekë bashkëkohore, kabinete për zhvillimin e lëndëve të biologjisë, kimisë dhe informatikës, nyje sanitare për persona me nevoja të veçanta, si dhe shumë hapësira të tjera.
Po ashtu, kryetari Haskuka theksoi se gjatë ditëve në vijim do të vazhdojnë punën edhe në shkollat tjera dhe nuk do të ndalen së punuari për krijimin e hapësirave sa më kualitative për fëmijët, të cilët janë ardhmëria e vendit.
Ndryshe, kryetari Haskuka dhe drejtoresha Thaçi-Vezgishi gjatë muajt tetor të këtij viti, kanë bërë edhe përurimin e aneksit të ri të shkollës “Mithat Frashëri” në fshatin Krajk të Hasit, ku nxënësit e kësaj shkolle tanimë posedojnë hapësira moderne për një edukim cilësor.
Përveç kësaj, vetëm gjatë dy muajve të fundit, kanë filluar punimet për ndërtimin e anekseve të reja të shkollave “Hasim Maliqaj” në fshatin Poslisht, “Dy Dëshmorët” në fshatin Arbanas (Sërbicë e Poshtme), dhe të shkollën “Naim Frashëri”, në fshatin Vlashnje të Komunës së Prizrenit.
--