24 Dhjetor 2024

Filloi punimet Konferenca Ndërkombëtare “Kosova në PISA 2015”

Prishtinë, 6 maj - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) në bashkëpunim me organizatën gjermane GIZ kanë organizuar konferencën ndërkombëtare dyditore “Kosova në PISA 2015: ndikimi i vlerësimit të nxënësve në cilësinë e arsimit”, e cila ka filluar punimet sot në Prishtinë.

Në hapje të konferencës, e cila ka për qëllim prezantimin dhe sensibilizimin e rolit të PISA-s dhe rëndësisë së vlerësimit sistematik të nxënësve, ministri i Arsimit, Ramë Buja theksoi rëndësinë që ka kjo konferencë për sistemin e arsimit në Kosovë, sepse Kosova për herë të parë po i nënshtrohet një vlerësimi ndërkombëtar në PISA.

“Pjesëmarrja në PISA është e rëndësishme, sepse rezultatet mund të përdoren për të vlerësuar: Sa mirë janë të përgatitur nxënësit në Kosovë në këtë fazë të përfundimit të shkollës? Cilat janë drejtimet në të cilat duhet të përmirësohen shkollat tona, sistemet qeverisëse dhe politikat arsimore në të ardhmen?\"

\"Vetë pjesëmarrja e vendit tonë në këtë vlerësim të rëndësishëm ndërkombëtar çmohet si tregues që kërkon që arritjet dhe reformat në arsim të maten dhe të krahasohen me zhvillimet ndërkombëtare”, tha ministri Buja, ndërsa theksoi se Kosova i bëri ofertë Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik  dhe Zhvillim (OECD) për të marrë pjesë në vlerësimin ndërkombëtar PISA, me qëllim që edhe ne të jemi pjesë e procesve zhvillimore ndërkombëtare.

“Raporti final i rezultateve të Vlerësimit Ndërkombëtar PISA 2015, që do të publikohet në vitin 2016, Ministrisë së Arsimit do t’i shërbejë për orientimet politike në zhvillimet e mëtejme të sistemit arsimor në Kosovë”, theksoi ministri Buja, ndërsa tha se gjatë dy ditëve të konferencës  do të diskutohet rëndësia e vlerësimit të nxënësve për përmirësimin e cilësisë në arsim, ku do të shkëmbehen praktika dhe njohuri për cilësinë në arsim.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Peter Blomeyer, ndër të tjera theksoi se pjesëmarrja në PISA i mundëson Kosovës të matë cilësinë e sistemit të saj edukativ dhe të krahasojë standardet e saj me ato të vendeve tjera.

“Gjithsesi vlerësimi PISA, duhet të jetë pjesë e testit kombëtar, në mënyrë që cilësia e edukimit mund të monitorohet brenda tre vjetëve, për aq kohë sa realizohet vlerësimi PISA”, tha ai. 

Ndërsa, zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa foli për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në PISA dhe sfidat që na presin në këtë drejtim. “Praktikat kanë dëshmuar se në PISA nuk ka humbës, ndërsa renditja dëshmon për gjendjen aktuale të arsimit të shteteve të ndryshme dhe mundësi reflektimi për orjentimet e së ardhmes”, tha ai.

Vlerësimi i  PISA-s fokusohet në aftësinë që kanë nxënësit 15- vjeçar për t’i përdorur dijet dhe njohuritë e fituara në shkollë në situatat reale të jetës të një të rrituri. PISA është studimi më i madh ndërkombëtar në botë për arsimin. Ajo matë arritjet e nxënësve në Lexim, Matematikë dhe Shkencë.

Pilotimi i këtij vlerësimi në Kosovë është realizuar me sukses më 23 prill 2014 në 27 qendra të vlerësimit, të cilit i janë nënshtruar 1100 nxënës.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)