Filloi Prishtina lexon
Prishtinë, 31 maj - Me një ceremoni të hareshme ka filluar edicioni i dytë i kampanjës Prishtina lexon. Hapjen e kësaj ngjarjeje e bëri kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili tha se është kënaqësi e veçantë që të ndodhet në mesin e fëmijëve të shumtë që janë pjesë e kampanjës Prishtina lexon.
Për nder të 1 qershorit, Ditës së Fëmijëve, sivjet organizojmë për herët të dytë aktivitetin Prishtina lexon. Derisa vjet kjo ngjarje ka qenë vetëm një ditë, sivjet do të zgjasë dy ditë me radhë që të tregojmë rëndësinë e leximit dhe se sa mirë është të lexosh përralla, tregime, libra për ta zhvilluar edhe imagjinatën. Prandaj, këto dy ditë do të marrin pjesë në leximin e librave personalitete të njohura, si këngëtarë, aktorë etj të cilët do të lexojnë së bashku me fëmijë dhe ta përcjellim mesazhin për rëndësinë që ka leximi. Ne kemi shumë libra të mirë, kemi shumë biblioteka nëpër shkolla të cilat duhet ti vizitoni dhe të jeni sa më afër me librin, tha me këtë rast Ahmeti, i cili më pas e lexoi një përrallë bashkë me fëmijët e pranishëm.
Një përrallë për fëmijë e lexoi edhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu në këndin e Komunës në të cilin do të lexojnë për fëmijë edhe zyrtarë të tjerë të Komunës.
Po ashtu, pjesë e kampanjës Prishtina lexon do të jenë edhe personalitete të njohura nga sfera të ndryshme, si Albin Kurti, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovës, Qemal Minxhozi, Fisnik Ismaili, përfaqësues të grupit KOHA, Jeta Xharra, Visar Arifaj, BimBimma etj. Po ashtu, në kënde të tjera do të lexojnë nxënës të të gjitha shkollave të Komunës së Prishtinës.
Qëllimi i këtij projekti është që tu ofrohet fëmijëve mundësia që ta kuptojnë rëndësinë e të lexuarit, duke filluar që nga mosha e hershme. Sivjet, për herë të parë do të zgjidhet edhe Përralla më e mirë, e shkruar nga krijuesit e vegjël, ndërsa për fituesit do të ndahen shpërblime të ndryshme.