23 Dhjetor 2024

Festa e Abetares këtë vit u festua me moton “Ne festojmë të bashkuar”

Prishtinë, 17 maj - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka organizuar sot manifestimin tradicional  Festa e Abetares, me moton “Ne festojmë të bashkuar”, e cila është mbajtur në Sallën e Sporteve “Sezai Surroi”, në Prizren. Në këtë manifestim, të pranishmëve u janë drejtuar me fjalë rasti, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi dhe ministrja e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë, Besa Shahini.

Ministri Bytyqi, pasi uroi nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit për këtë festë të rëndësishme, e cila shënon hapin e parë të fatosave drejt dijes, tha se, ndjehet i lumtur që në këtë ditë festojnë bashkë nxënësit nga të gjitha trojet shqiptare, brezi i cili do të ndërtojë të ardhmen e përbashkët.

“Ajo çka na bënë të lumtur është se, ne kemi bërë një hap të vogël, pra që të festojnë bashkë nxënësit shqiptarë nga të gjitha trojet. Festa Abetares është një festë jo vetëm për fëmijët të cilët po e përmbyllin me sukses mësimin e shkronjave, jo vetëm për mësuesit të cilët e jetësuan me sukses planprogramin e tyre, jo vetëm për prindërit, fëmijët e të cilëve tashmë kanë mësuar shkrim-leximin, pra, është festë për të gjithë, sepse po përgatisim brezin e ri, i cili do të ndërtojë të ardhmen e përbashkët”, u shpreh ministri Bytyqi.

Duke folur për historikun e Abetares dhe intelektualët të cilët dhanë shumë për të ruajtur vlerat e gjuhës shqipe, ministri Bytyqi theksoi se, sot jemi në hap me zhvillimet e sistemit arsimor në botë dhe se po vazhdojnë angazhimet për avancimin dhe unifikimin e sistemit arsimor.

Ndërsa, ministrja Besa Shahini, me këtë rast tha se, është detyrim dhe e domosdoshme nga institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë që vendet tona t’i bëjnë bashkë dhe të qojnë përpara sistemin arsimor. Ministrja Shahini foli edhe për fillimin e procesit të unifikimit të kurrikulave, i cili kishte nisur shumë më përpara se ajo të ishte në krye të Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë dhe synimet e tanishme për unifikimin e arsimit parauniversitar.

Këtë ngjarje të rëndësishme për fëmijët e klasave të para e ka përshëndetur edhe përfaqësuesja e Ministrisë së Arsimit të Maqedonisë, Adriana Shehu.

Në manifestimin tradicional “Festa e Abetares” janë paraqitur me program kulturo-artistik nxënësit e shkollave të përzgjedhura nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës. Abetarja e përbashkët është promovuar në vitin 2012.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)