Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës me Trup Këshillëdhënës
Prishtinë, 16 shtator - Sot në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës (FNA) në Universitetin e Prishtinës Hasan Prishtina u formua Trupi Këshillëdhënës i këtij fakulteti.
Konstituimi u bë bazuar në Rregulloren e UP-së dhe miratimin e Këshillit të Fakultetit duke u bazuar ne punën e Menaxhmentit të FNA-së udhëhequr nga Dekani i FNA-së Prof. Asoc. Dr. Naser Kabashi, e në koordinim me koordinatorin për zhvillim akademik Dr. Egzon Bajraktari dhe Zyrën për Zhvillim Akademik në UP.
I gjithë aktiviteti pati mbështetje nga prorektorja L.Tahiri. Formimi i këtij trupi u përkrah nga projekti EYE në emër të Universitetit të Prishtinës.
Në këtë trup u përzgjodhën anëtarë nga institucionet publike si dhe kompanitë e mëdha private që operojnë në fushën e ndërtimtarisë dhe arkitekturës në Kosovë dhe më gjerë si: Bechtel-Enka, ANP Limak, AlTrade, IPE-PROING, Shoqata e Gjeodetëve të Kosovës, Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës, KUR Prishtina.
Kryetar i trupit u zgjodh z. Adnan Turker, përfaqësues i kompanisë Bechtel-Enka. Funksioni i këtij trupi do jetë përkrahja e FNA-së në ngritjen e cilësisë së planprogrameve studimore sa i përket nevojave të tregut të punës, rritja e punësueshmërisë së kuadrit të dalë nga FNA, intensifikimi i bashkëpunimit fakultet-biznese drejt punës praktike dhe kërkimore në përgjithësi etj.
Ky Trup paraqet një hallkë të rëndësishme në ndërlidhjen në mes pjesës akademike dhe industrisë, ndërlidhje kjo që ka ekzistuar edhe më herët dhe në vazhdim pritet të përsoset më tutje.