Fakulteti i Edukimit i aftëson edhe mësimdhënësit në shërbim
Prishtinë, 19 korrik - Në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina ka filluar punën Instituti për Hulumtim dhe Zhvillim të Arsimit. Shtyllat kryesore të këtij Instituti janë: hulumtimet shkencore në fushën e edukimit dhe trajnimi i mësimdhënësve që janë në shërbim.
Prodekani për mësim në Edukim, Zeqir Veselaj, ka thënë se ky Institut është themeluar duke pasur parasysh nevojat e mësimdhënësve për trajnime dhe hezitimin e tyre që të trajnohen nga OJQ të ndryshme siç është bërë deri më tani. Veselaj ka thënë se tashmë Instituti ka filluar punën e tij duke i trajnuar rreth 200 mësimdhënës për përvetësimin e anglishtes nga moshat e reja, meqë me kurrikulën e re parashihet që anglishtja të mësohet nga klasa e parë.
Prej aty ka lindur ideja, se është mirë që universiteti, respektivisht Fakulteti i Edukimit, ta formojë një departament, të cilin më vonë e quajtëm institut, i cili do të merrej me zhvillimin profesional të mësimdhënësve në vend që ato trajnime të kryhen nga OJQ, ka thënë Veselaj.
Sipas tij, ky institut do të shërbejë si hallkë lidhëse në mes të trajnimit të mësimdhënësve para shërbimit dhe atyre pas shërbimit.
Dy do të jenë shtyllat e punës së Institutit: e para, hulumtimet shkencore në fushën e edukimit për të parë ku janë ngecjet dhe komponenta e trajnimit të mësimdhënësve në shërbim, është shprehur ai.
Trajnues të mësimdhënësve të shkollave fillore dhe të mesme do të jenë mësimdhënësit universitarë nga Fakulteti i Edukimit, por varësisht prej specifikave të trajnimit do të angazhohen edhe staf nga fakultetet e tjera.
Veselaj ka thënë se trajnimet do të ofrohen në bazë të kërkesave që kanë Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA). Ne do ta shohim listën e nevojave të DKA-vë dhe do ti ofrojmë trajnimet tona të licencuara nga MASHT-i. Pesë trajnimet e para kanë të bëjnë me zbatimin e kurrikulës së re, pra vlerësimi me nxënësin në qendër. Trajnimet që do të organizohen do të jenë sipas nevojave për zhvillim profesional, është shprehur Veselaj.
Ai ka treguar se Instituti për Hulumtim dhe Zhvillim të Arsimit do të financohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) dhe donatorët e ndryshëm. Projekti i parë i këtij instituti është financuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.
Burim kryesor do të jetë buxheti që MASHT-i ua ndanë DKA-ve për zhvillim profesional të mësimdhënësve. Puna e mjeteve financiare nuk do të jetë kufizim sepse çdoherë ndahet buxhet për trajnimin e mësimdhënësve, ka thënë Veselaj.