ERAWEB ofron bursa për studime në mjekësi
Prishtinë, 25 mars - Në kuadër të kornizës Erasmus Mundus Action 2, ku Universiteti i Prishtinës Hasan Prishtina është pjesëmarrës, programi ERAWEB ofron bursa për studime në mjekësi dhe në shkencat shëndetësore të universiteteve të Unionit Evropian.
Programi ERASMUS-Ballkani Perëndimor është një program i përbashkët i mobilitetit, i ofruar nga tetë universitete të Ballkanit Perëndimor dhe gjashtë universitete të BE-së. Studentët dhe stafi akademik do të përfitojnë mundësi studimi, të mësimdhënies dhe të hulumtimeve shkencore jashtë vendit, ndërsa universitetet pjesëmarrëse do ti rrisin kapacitetet e mësimdhënies, do të ndërtojnë ekspertizë hulumtuese dhe do të fitojnë eksperiencë ndërkombëtare.
Theksi kryesor i programit ERAWEB është në hulumtimet në mjekësi dhe në shkencat shëndetësore. Hulumtimet brenda ERAWEB synojnë faktorët që ndikojnë në shëndetin e popullsisë dhe në zhvillimin e ndërhyrjeve të mundshme, me qëllim të përmirësimit të shëndetit.
Ky program e stimulon zhvillimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke i rritur aftësitë akademike të studentëve, të hulumtuesve dhe të mësimdhënësve.
Konkurrimi për programin ERAWEB është online dhe do të jetë i hapur deri më 1 prill 2014.
Për më shumë informata klikoni në:
http://erasmus-westernbalkans.eu/