Enver Hasani shkel ligjin
Prishtinë, 27 prill - Ish-rektori i Universitetit të Prishtinës (UP), Enver Hasani ka bërë shkelje ligjore kur ka nënshkruar recension pozitiv për njërin nga kandidatët për asistent për grup lëndësh në Departamentin e Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës.
Në dosjen me të dhënat e kandidatëve që kanë konkurruar për tu zgjedhur asistent për grup lëndësh, të cilën e ka parë gazeta, kandidati Dashnim Ismaili është përzgjedhur, ndonëse nuk ka pasur dokumentacion të rregullt dhe të kompletuar, përkatësisht ai nuk ka pasur diplomë të nostrifikuar.
Sipas Ligjit për Arsimin e Lartë, përkatësisht Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Arsimit, Parimet dhe procedurat e njohjes së diplomave të shkollave të larta profesionale dhe gradave universitare të fituara jashtë Republikës së Kosovës, secili kandidat që pretendon të punojë në universitet duhet fillimisht ta nostrifikojë diplomën, në të kundërtën nuk mund të pranohet në punë.
Kryetari Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në cilësinë e kryetarit të Komisionit Recensues ia ka shkruar atij referatin pozitiv, por Senati i Universitetit të Prishtinës ende nuk e ka votuar Ismailin për asistent, me çka ai e zyrtarizon pozitën e re në UP.
Disa ditë më parë Zëri ka raportuar se si Enver Hasani, i përkrahur edhe nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i kanë shkruar referat pozitiv, përkatësisht e kanë përzgjedhur për asistente të bijën e dekanit të Fakultetit Juridik, Bajram Ukaj, ndërsa kanë anashkaluar shumë kandidatë që me të gjitha përgatitjet kanë qenë më të mirë sesa e bija e dekanit.
Njëri nga zyrtarët e lartë të Universitetit të Prishtinës, që ka kërkuar të mos i dalë emri në gazetë, ka thënë se komisioni recensues, që është udhëhequr nga Enver Hasanin, ka bërë shkelje të rëndë ligjore, ndërsa ka theksuar se të tilla shkelje bëhen shpesh nga profesorët e fortëFakti që Komisioni i ka shkruar referat pozitiv një kandidati i cili nuk ka sjellë dëshmi se ka diplomë të nostrifikuar, tregon se këtu është shkelur ligji.
Në dosjen që e kemi shikuar kemi parë se aty ka kandidatë që i kanë plotësuar kushtet, por që janë injoruar, ka nënvizuar ai, duke shtuar se sikur ky komision ti respektonte dispozitat ligjore, Ismajli, nuk do të duhej të trajtohej fare si kandidat.
Këtu nuk do shumë mend për ta parë. Në konkursin për asistent është thënë shumë qartë se njëra nga kriteret për tu pranuar si staf akademik është që diploma të jetë e nostrifikuar, e kam fjalën për kandidatët që janë shkolluar jashtë Kosovës, ka nënvizuar ky zyrtar i UP-së.Shkeljen e ligjit e pohon edhe eksperti i arsimit, Jonus Salihaj, i cili thekson se shkeljet e tilla e janë bërë përditshmëri në Universitetin e Prishtinës.
Padyshim që kjo është shkelje ligjore, është shkelje e një udhëzimi administrativ, është shkelje e ligjit. Aq më keq që këtu është përzier Enveri (Hasani). Aq më keq, pesha e shkeljes është më e madhe kur një njeri që e njeh ligjin, që është në krye të institucionit më të lartë juridik e bënë një veprim të tillë. Është gabimi edhe më i rëndë, thotë ai.
Ai thekson se prej pasluftës, në emër të kthimit të trurit në Kosovë kanë ardhur kuadro të ndryshme nga vende të ndryshme ku janë arsimuar, të cilës pastaj, në raport me kandidatët vendorë janë treguar superior pavarësisht se nuk kanë qenë të tillë.
Ndërkaq, në Ministrinë e Arsimit thonë se ky institucion nuk përzihet në punët e brendshme të Universitetit të Prishtinës, që nënkupton edhe në përzgjedhjen e stafit, por ligjet në fuqi duhet të respektohen nga të gjithë.
Sipas tij, MASHT i trajton me kujdes rastet kur ka shkelje në përzgjedhjen e stafit, por këtë e bënë pasi të ketë marrë ndonjë ankesë ose shkresë për ndonjë rast të veçantë.Inspektorati i bënë raportin në momentin kur ti kërkohet një gjë e tillë, dhe më pas ai e jep rekomandimin për ta kthyer konkursin ose për diçka tjetër, nënvizon ai.
Ndryshe nga kjo, në konkursin e hapur nga Universiteti i Prishtinës për staf akademik është precizuar qartë kriteri se kandidatët që kanë mbaruar studimet jashtë vendit janë të obliguar që ti kenë diplomat e nostrifikuara.Ky konkurs është hapur pothuajse para një viti ndërsa që nga ajo kohë drejtuesit e Universitetit të Prishtinës nuk kanë qenë në gjendje që tia lidhin kryet kësaj çështje, duke e zvarritur pranimin e stafit të ri akademik në Departamentin e Shkencave Politike për rreth dymbëdhjetë muaj.
Heshtë Hasani, heshtë UP-ja!
Për dy ditë rresht Zëri ka pritur përgjigje për çështjen në fjalë sikurse nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani edhe nga drejtuesit e Universitetit të Prishtinës, as Hasani dhe as përgjegjësit për medie në UP nuk kanë qenë në gjendje të prononcohen.
Në emër të redaksisë Hasanit i janë dërguar pyetjet në e-mailin e tij personal dhe në atë të Gjykatës Kushtetuese, por ai nuk është përgjigjur. Ndërsa, Ardian Kastrati, këshilltar për medie i rektorit të UP-së, Ibrahim Gashi, nuk është përgjigjur, duke u arsyetuar se për këtë çështje është përgjegjës Prorektori për Çështje Mësimore, Nuri Bexheti.
/Zëri/