23 Dhjetor 2024

Emërtimi i shkollës në Mamushë, peng i mos komunikimit

Prizren, 1 qershor - Në kuadër të projektit të monitorimit të punës së ekzekutivit komunal të Mamushës, EC Ma Ndryshe gjatë muajit maj ka shqyrtuar çështjen e ri-emërtimit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët në këtë komunë.

Në bazë të vrojtimeve gjatë monitorimit shihet se komuna e Mamushës përdor emrin “Anadolu” për këtë shkollë, derisa Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në dokumentet zyrtare i referohet si ShFMU  “Haxhi Ymer Lutfiu”.

Në lidhje me këtë çështje, Kuvendi Komunal i Mamushës, në mbledhjen e mbajtur më 31 mars 2011 ka votuar për ri-emërtimin e ShFMU-së me emrin “Anadolu”.

Më 12 prill 2011, kryetari i komunës, Arif Bütüç përmes një shkrese zyrtare i drejtohet ministrit të MASHT-it, Ramë Buja, me kërkesën për aprovimin e emrit të ri të shkollës.

Meqë komuna e Mamushës nuk merr asnjë përgjigje nga MASHT-i, kërkesa përsëritet më 19 gusht 2011. E njëjta kërkesë më 4 korrik 2012 i dërgohet edhe Komisionit për Emërtimin e Shkollave pranë MASHT-it.

Por, sipas kryetarit të Mamushës, MASHT ende nuk ka dërguar një përgjigje zyrtare, mbi pranimin ose jo të emërtimit të ShFMU-së në Mamushë.

Udhëzimi Administrativ i MASHT-it 10/2008 përkufizon procedurën e emërtimit dhe riemërtimit të shkollave. Aty sqarohet se shkolla mund të emërtohet me: a) emër personaliteti, b) emër gjeografik ose c) emër kuptimi. Po ashtu përcaktohet edhe procedura që duhet të ndiqet për emërtimin apo ri-emërtimin e shkollave, me ç’rast nevojitet që rekomandimi i “DKA-së të arsyetohet me shkrim” dhe që “Kërkesa e kompletuar t’i dërgohet MASHT-it për emërtim të shkollës”.

Në rastin e Mamushës, këto procedura nuk janë ndjekur në përpikëri. Megjithatë, organi më i lartë komunal, KK-ja ka miratuar vendimin për emërtimin e ShFMU-së.

Prandaj, EC Ma Ndryshe konsideron se MASHT do të tregonte korrektësi nëse do t’i dërgonte një përgjigje zyrtare komunës së Mamushës në lidhje me kërkesën për (ri)emërtimin e kësaj shkolle. Po ashtu edhe të qartësoj nëse janë respektuar ose jo procedurat dhe çfarë hapash duhet ndërmarrë komuna e Mamushës që kjo çështje të zgjidhet brenda kuadrit ligjor ekzistues.

EC Ma Ndryshe vlerëson se komunikimi institucional, ndërmjet nivelit qendror e lokal, duhet të jetë i përditshëm në mënyrë që të ofrohen zgjidhje për brengat e qytetarëve.

EC Ma Ndryshe shpreh qëndrimin që zgjidhja e kësaj çështjeje procedurale nuk do të duhej të zgjaste më shumë se dy vite, por do të duhej të zgjidhej në një afat optimal kohor, në mënyrë që emri zyrtar i shkollës të mos mbetet pezull. 

EC Ma Ndryshe i bën thirrje MASHT-it që të shqyrtoj këtë çështje dhe t’i kthej një përgjigje meritore komunës së Mamushës.

Ndërsa, komunën e Mamushës e rekomandon që gjatë marrjes së vendimeve të jetë e kujdesshme në ndjekjen e procedurave të përcaktuara me ligje e akte nën-ligjore. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)