23 Dhjetor 2024

Ekzekutivi i Prizrenit ndan bursa për studentët e Universiteteve Publike

Prizren, 30 janar - EC Ma Ndryshe në kuadër të projektit "Transparenca online e Komunës së Prizrenit" këtë javë ka marrë pjesë në mbledhjen e kryetarit të komunës së Prizrenit, Ramadan Muja me drejtorët komunal, ku janë miratuar konkluzione të shumta.

Qeveria komunale e Prizrenit në mbledhjen e radhës ka miratuar lejimin e shpalljes së konkursit për ndarjen e bursave për studentë për vitin kalendarik 2013.

Bazuar në kërkesën e aprovuar të DKASH-së të drejtë për marrjen e bursës do të kenë vetëm studentët e Universiteteve Publike dhe jo ata që studiojnë jashtë apo në universitetet private.

DKASH ka paraparë që këtë vit të ndahen vetëm 80 bursa në vlerë prej 40 mijë eurosh, derisa 10 mijë euro parashihet t’u jepet fëmijëve të dëshmorëve të luftës së UÇK-së.

Po ashtu ekzekutivi ka pranuar kërkesën për emërimin e komisionit që merret me përgatitjen e konkursit, ndryshimin e rregullores për përfituesit e bursave, shqyrtimin e kërkesave dhe përzgjedhjen e kandidatëve.

Ekzekutivi lokal ka marrë vendim që të hiqen shpenzimet e udhëtimit për nxënësit e disa shkollave fillore dhe nxënësve jetima të Krushës së Vogël, projekt që arrin vlerën 9 mijë e 950 euro, ndërkohë që janë miratuar edhe disa kërkesa për intervenime në infrastrukturën ekzistuese të disa shkollave në komunë të Prizrenit.

Qeveria lokale ka miratuar edhe propozimin e ardhur nga Drejtoria e Punës dhe Mirëqenies Sociale rreth lejimit të mjeteve financiare për mbulimin e shpenzimeve të qirasë (200 euro në muaj) për kuzhinën popullore të Shoqatës Bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, ku ofrohet nga një shujtë për personat në gjendje të vështirë ekonomike.

Ekzekutivi i Prizrenit është pajtuar me propozimin e Drejtorisë për Turizëm dhe Zhvillim Ekonomik për lejimin e shpalljes së tenderit për ndriçimin e objekteve monumentale në Qendrën Historike të Prizrenit (parallogaria 20 mijë euro), me qëllim të joshjes së vizitorëve edhe në orët e mbrëmjes dhe ofrimit të pamjeve panoramike dhe artistike.

Gjithashtu është miratuar konkluzioni për lejimin e shpalljes së tenderit për rehabilitimin e fasadave në Qendrën Historike të Prizrenit (parallogaria 30 mijë euro), sikurse edhe projektin për hartimin e Strategjisë së Zhvillimit të Turizimit në Prizren (10 mijë euro).

Krahas kësaj, ka kaluar edhe kërkesa për fazën e tretë të punimeve në Zonën e Parkut të Biznesit, pra ndërtimi i infrastrukturës rrugore, kanalizimit dhe instalimit elektrik.

Në takimin e kryetarit me drejtorët janë kërkuar të dhëna shtesë në lidhje me propozimin e Drejtorisë së Shëndetësisë për ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në lagjen Kurillë. Vendimi për shpalljen e tenderit është shtyrë për mbledhjen e radhës.

Ndërkohë është lejuar shpallja e tenderëve për ndërtimin e AMF-ve në fshatrat Krajk dhe Velezhë.

Është aprovuar edhe mbështetja financiare për 33 pacientë që janë në mjekim.

Qeveria komunale ka miratuar kërkesën e Drejtorisë së Shërbimeve Publike për shpalljen e tenderit për ndërtimin e disa rrugëve lokale, ujësjellësve dhe kanalizimeve, me participim.  

Ka kaluar edhe propozimi i DKRS-së rreth lejimit të shpalljes së tenderëve për realizimin e gjashtë projekteve kapitale që kanë të bëjnë me infrastrukturën kulturore-sportive, përkatësisht rregullimin e stadiumit të qytetit, ndërtimin e sallës sportive në Qendrën Sportive të Prizrenit, ndërtimin e qendrave kulturore-sportive në Lubizhdë të Prizrenit dhe Lubizhdë të Hasit, terrenin sportiv në Sërbicë dhe organizimin e festivaleve tradicionale. 

Ndërkaq Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i është aprovuar kërkesa për lejimin e mjeteve për vaksinimin e qenve kundër tërbimit dhe shpallja e tenderit për eliminimin e qenve endacak.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)