Ekspertët kërkojnë ti jepet fund organizimit të Testit të Maturës
Prishtinë, 6 qershor - Testi i Maturës, i cili bashkë me suksesin e nxënësve në shkollimin e mesëm të lartë siguron 60 për qind të pikëve të nevojshme për regjistrim në Universitet, edhe këtë vit ka dështuar të mbahet pa kopjime dhe mashtrime.
Pyetjet e Testit të Maturës (pjesa e parë e të cilit u mbajt të shtunën) janë shpërndarë gjithandej nëpër rrjetet sociale, e pastaj bashkë me to edhe përgjigjet e sakta, dhe krejt kjo ka ndodhur gjatë kohës sa Testi po mbahej në nivel vendi, shkruan sot Koha Ditore.
Përgjegjës të Ministrisë së Arsimit për Testin e Maturës nuk po e pranojnë se sërish dështuan në mbarëvajtjen e tij, duke u arsyetuar se kopjimet dhe mashtrimet janë raste të izoluara.
Ndërsa, profesorët universitarë po bëjnë thirrje që Testi i Maturës, sikurse edhe ai i Arritshmërisë të mos mbahen më. Në vend të tyre, ata propozojnë punimet e diplomës, modele këto të cilat praktikohen edhe në disa vende të Evropës që janë të njohura për arsim cilësor, siç është Finlanda apo Austria.
/Koha Ditore/