Ekspertët diskutojnë për arsimin dhe aftësimin profesional
Prishtinë, 8 tetor - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) në bashkëpunim me Fondacionin Evropian për Trajnime (ETF) dhe GIZ-in kanë organizuar sot një konferencë ku ekspertë të shumtë nga vendi e më gjerë kanë diskutuar për arsimin dhe aftësimin profesional në Kosovë, duke i kontribuar kështu zhvillimit të mëtutjeshëm të këtij segmenti të rëndësishëm të arsimit.
Punimet e kësaj konference i përshëndeti në emër të ministrit Buja, këshilltari I tij Ragip Gjoshi, I cili ndër të tjera përmendi faktin se MAShT-I është në fazën e reformimit të arsimit në tërësi në Kosovë, e në veçanti të arsimit profesional dhe arsimit dhe aftësimit për të rritur. Në këtë drejtim ai përmendi Ligjin për Arsimin dhe Aftësimin Profesional dhe atë për të Rritur, ligje të cilat tashmë kanë kaluar leximin e parë në Kuvendin e Kosovës.
Ndërsa, z. Gjoshi përmendi edhe se është konstituuar dhe funksionalizuar Këshilli i arsimit dhe aftësimit profesional dhe tha se jemi në rrugë të mirë për themelimin e Agjencionit për Arsim Profesional. Të gjitha këto shkojnë në favor të realizimit të Planit Strategjik që lidhet edhe me arsimin dhe aftësimin profesional, tha ai.
Duke marrë parasysh rëndësinë e madhe të arsimit profesional dhe nivelin e madh të papunësisë në Kosovë, shpresojmë se segmenti më i rëndësishëm është përgatitja e të rinjve me dije dhe arsimim të kësaj fushe, që do të ndikonte edhe në uljen e numrit të të papunëve në Kosovë, sepse këtu mendojmë se ne rekrutojmë kuadro edhe për tregun e Evropës, tha z. Gjoshi.
Ai përmendi edhe faktin se në regjistrimin e fundit të popullsisë ka dalë se shkalla e analfabetizmit në Kosovë është rreth 4 përqind, por tha se jemi të bindur se do të bëhen hapa të rëndësishëm edhe në këtë drejtim, sepse Ministria e Arsimit ka vizion të qartë për angazhimet në këtë sferë dhe këtë e dëshmojmë me fatin se jemi të përkushtuar në hartimin e infrastrukturës ligjore dhe se kemi identifikuar se çelësi i zhvillimit ekonomik është përkushtimi për arsimin dhe aftësimin profesional, tha z. Gjoshi.
Në këtë konferencë foli edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, i cili po ashtu theksoi rëndësinë që ka arsimi dhe aftësimi profesional në uljen e numrit të të papunëve në vendin tonë, dhe si rrjedhojë edhe në zbutjen e varfërisë.