Ekspertë të arsimit sugjerojnë mbajtjen pragut të kalueshmërisë
Prishtinë, 20 maj - Në dëgjimin e sotëm publik, të organizuar nga Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport , lidhur me Projektligjin për Provimin e Maturës Shtetërore, pos përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, morën pjesë edhe përfaqësuesit e Drejtorisë Komunale të Arsimit nga Ferizaj, përfaqësues të shkollave private, ekspertë të lëmit të arsimit, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të interesuar të tjerë .
Në këtë dëgjim publik të drejtuar nga Nait Hasani, kryetar i Komisionit për Arsim..., është zhvilluar debat i gjerë, sidomos lidhur me pragun e kalueshmërisë, përkatësisht për nenet 15 dhe 16 të Projektligjit Provimin e Maturës Shtetërore.
Përkundër qëndrimit të MASHT-it për heqjen e pragut të kalueshmërisë , ekspertë të arsimit dhe të interesuar të tjerë të këtij lëmi me interes të lartë për vendin, sugjerojnë mbajtjen e këtij pragu.
Pas përfundimit të debatit,Komisioni ka marrë për obligim që të vlerësojë mirë sugjerimet e dala nga ky dëgjim publik dhe të gjejë mundësinë ti inkorporojë ato në amendamentet që do të përgatisë për këtë projektligj.