Edukimi për Media të futet lëndë në arsimin parauniversitar
Prishtinë, 4 maj - Edukimi për Media duhet të jetë lëndë mësimore në arsimin parauniversitar, pasi që në shoqërinë e sotme një lëndë e këtillë është e nevojshme.
Kështu ka deklaruar në një intervistë për Epokën e re, profesoresha e gazetarisë e Universitetit të Prishtinës, Lindita Tahiri.
Në ketë bisedë profesoresha Tahiri ka folur edhe për shtojcën për lirinë e shprehjes që është botuar në ditën ndërkombëtare të lirisë të shtypit në gazetat Epoka e re dhe Zëri.
Epoka e re: Në ditën ndërkombëtare të lirisë të shtypit, ju së bashku me studentët nga Departamenti i Gazetarisë në UP keni mbajtur ligjëratë për nxënësit e shkollës së mesme Mileniumi 3 në Prishtinë dhe ata të shkollës së mesme Sami Frashëri, si e vlerësoni këtë?
Tahiri: Jam shumë e kënaqur që ditën ndërkombëtare të lirisë së shtypit, bashkë me studentët e mijë të gazetarisë, e kalova me të rinjtë e shkollave të mesme, duke diskutuar për lirinë e shprehjes dhe për rolin e mediave në shoqëri.
Epoka e re: Cili ka qenë qëllimi i këtyre ligjëratave?
Tahiri: Qëllimi i këtij aktiviteti ka qenë i lidhur me shtojcën për të rinj të cilën e botuam falë përkrahjes së Epokës së re dhe Zërit. Bashkë me studentët e mi, që morën pjesë në projektin e përgatitjes të kësaj shtojce, dëshironim që të nxisim një mendim kritik për media dhe të diskutojmë disa koncepte thelbësore të edukimit për media që u adresohen të rinjve, mësimdhënësve dhe prindërve.
Epoka e re: Si është pritur kjo ide nga profesorët dhe nxënësit e këtyre shkollave?
Tahiri: Mësimdhënësit dhe udhëheqësit e të dyja shkollave, Mileniumit dhe Sami Frashërit treguan dëshirë të përnjëhershme për bashkëpunim, dhe në të dyja shkollat u zhvilluan debate interesante në klasë. Mësimdhënësit e theksuan nevojën e përfshirjes të edukimit për media në planprogramet mësimore.
Epoka e re: Tani është botuar edhe numri i parë i shtojcës, dedikuar të rinjve që ka të bëjë me lirinë e shprehjes, do ta vazhdoni botimin e kësaj shtojce në të ardhmen?
Tahiri: Botimi i shtojcës u bë në një datë simbolike: u punua nga të rinjtë, e dedikuar për të rinjtë, dhe jam shumë e kënaqur me këtë. Përsëri dëshiroj ta theksoj përkrahjen e Epokës së re dhe Zërit, dhe unë shpresoj se do të përkrahen iniciativa të këtilla edhe në raste të tjera.
Epoka e re: Nga ligjëratat që i keni mbajtur, sa janë të informuar nxënësit për mediat në përgjithësi?
Tahiri: Nxënësit e gjeneratës së sotme i marrin burimet e informacionit kryesisht nga interneti, por nga diskutimet e sotme është vërejtur se ata lexojnë edhe gazeta dhe përcjellin lajme, si dhe shfaqin një interesim të konsiderueshëm për çështjet politike, përkundër moshës së tyre të re. Ata ishin në gjendje të diskutojnë lirshëm për pikëpamjet e ndryshme që i transmetojnë mediat e ndryshme, apo për anësinë dhe mungesën e neutralitetit në disa media, kundruall disa të tjerave. Jam e befasuar për të mirë me pjekurinë e tyre dhe përqasjen realiste ndaj mediave.
Epoka e re: Nga përvoja e juaj si mësimdhënëse e medieve, cilët janë shkaktarët që të rinjtë nuk kanë shumë njohuri për lirinë e shprehjes?
Tahiri: Arsimimi i të rinjve në kohët e sotme nuk ndikohet vetëm nga familja dhe shkolla, por edhe nga prodhimet mediatike. Sot mediat luajnë një rol shumë të rëndësishëm në integrimin e të rinjve në shoqëri. Prandaj nevojitet edhe përgatitja dhe vetëdijesimi për media i të rinjve si dhe i të gjithë individëve që janë të përfshirë në arsimimin dhe zhvillimin e tyre. Në Amerikë gjatë dhjetëvjetëshit të fundit Edukimi për media është bërë lëndë shumë e popullarizuar, ndërsa ne Unionin Evropian është një standard obligativ për shtetet anëtare. Vetëdijesimi për përqasjen ndaj medias do të duhej tu ndihmojë nxënësve të jenë pjesë e një shoqërie të arsimuar të informacionit, jo vetëm duke identifikuar dhe duke shfrytëzuar informata, por edhe duke i prodhuar ato përmes rrjeteve sociale.
Epoka e re: A do të ishte mirë sikur do të futej si lëndë obligative, Liria e Shprehjes dhe media, në shkollat e Kosovës?Dhe a mësohet si lëndë Liria e Shprehjes dhe media, në vendet perëndimore?
Tahiri: Nga kontaktet që i kam pasur me Ministrinë e Arsimit, planifikohet që Edukimi për Media të jetë element ndërkulikular në planprogramet parauniversitare, ndërkaq unë e trajtoj vazhdimisht këtë temë me studentët e mijë të gazetarisë. Në shoqërinë e sotme një lëndë e këtillë është e nevojshme që individi i vërshuar nga të gjitha anët me informacione, të jetë në gjendje ti krijojë shkathtësitë elementare për kompetencë autonome kritike dhe të jetë në gjendje të dallojë se cilat janë interesat e mediave dhe cilat janë interesat e publikut.