Edukimi dha arsimi janë prioritet kombëtar i Kosovës
Prishtinë, 10 mars - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka marrë pjesë në Konferencën Jubilare të 10 vjetorit te punës së Institutitit për Bashkëpunim Ndërkombëtarë të Shkollave të Larta Popullore të Gjermanisë DVV International, Zyra në Kosovë.
Ministri Bajrami, me këtë rast, ka falënderuar përfaqësuesit e DVV International për punën që kanë bërë në Kosovë për këto 10 vite dhe u shpreh i gatshëm për bashkëpunim të mëtutjeshëm me këtë Institut për të ndihmuar së bashku njerëzit të ndërtojnë karrierën e vet gjatë gjithë jetës.
Edukimi dha arsimi janë prioritet kombëtar i Republikës së Kosovës, ndërsa jemi të fokusuar në ngritjen e cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit dhe arritjen e standardeve të larta, në mënyrë që një ditë të bëhemi pjesë e Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë, duke u bazuar në merita, tha ministri Bajrami.
Duke folur për rëndësinë e angazhimit të DVV Interantional në Kosovë, ministri Bajrami, theksoi se angazhimi i këtij Instituti është shumë i rëndësishëm, sepse ofron trajnime në arsimin dhe aftësimin profesional, duke punuar edhe me përfaqësues të komuniteteve, për të siguruar gjithëpërfshirje në arsim. Kjo, tha ministri Bajrami, plotësisht korrespondon me përpjekjen dhe synimin tonë që t`i japim përparësi arsimit profesional dhe përshtatjes së tregut dhe nevojave të punës.
Në vazhdim, ministri Bajrami përmendi faktin se ditë më parë MAShT, ka lansuar projektin e madh me Bashkimin Evropian Orientimi i arsimit drejt nevojave të tregut të punës në Kosovë, prandaj tha se vazhdimi i harmonizimit dhe bashkëpunimit me DVV International në këtë aspekt , do të ofrojë më shumë mundësi.
Të pranishmit, me një fjalë rasti i përshëndeti edhe Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, znj. Angjelika Viets, ndërsa për angazhimin 10 vjeçar të këtij Instituti në Kosovë foli drejtori, z. Anton Markmiller.