Dugolli: Do të jem në krah të studentëve
Prishtinë,5 shkurt - Dekani i rizgjedhur i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli, është zotuar se do të angazhohet maksimalisht për avancimin e proceseve në Universitetin e Prishtinës, Hasan Prishtina.
Ai në profilin e tij në Facebook ka shkuar se çdo herë do të jetë në krah të studentëve.
\"Senati i Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina, miratoi zgjedhjen time dekan të Fakultetit Filozofik. Shfrytëzoj rastin të falënderoj të gjithë ata, që më dhanë mbështetje dhe besuan te vazhdimësia e punëve të mira dhe menaxhimit pozitiv, kolegial, realist dhe në respekt të punës akademike synuar dhe demonstruar nga unë gjatë mandatit të parë në krye të Fakultetit Filozofik\", ka theksuar ai.
Sipas tij mandati i dytë është përgjegjësi edhe më e madhe dhe, me këtë rast, ka garantuar, se gjithherë do të jetë në krye të detyrës për të bërë më të mirën për njësinë akademike, duke përfaqësuar denjësisht të gjithë njësinë akademike, duke qenë krah i studentëve, por edhe në shërbim të stafit administrativ dhe akademik të saj.
\"Gjithashtu, do të vazhdoj të kontribuoj për universitetin, sepse besoj në lirinë akademike, subjektivitetin juridik (të kontrolluar) për njësitë akademike (pra, decentralizim të universitetit), besoj në menaxhimin e balancuar të universitetit, ku realizimi i së ardhmes nuk nënkupton mohimin e së kaluarës ose, edhe më keq, harrimin e qëllimshëm të disa segmenteve të saj, ku e kaluara është një motiv krenarie, por edhe një arsye për të korrigjuar atë, që nuk ka shkuar mirë, besoj te autonomia e universitetit, duke e parë këtë si të vetmen rrugë, që ky institucion të ndjekë rrugën e nisur të ngritjes së vazhdueshme në cilësi dhe në imazh kombëtar dhe ndërkombëtar. Ju faleminderit të gjithëve!\", ka theksuar Dugolli.