22 Dhjetor 2024

Dritëro Agolli nderohet me “Dritën e minatorit”

Prishtinë, 14 tetor – Drejtues dhe zyrtarë të institucioneve lokale dhe qendrore, mandej shkrimtarë, poetë, krijues dhe dashamirës të letërsisë kanë marrë pjesë të premten në manifestimin letrar “Drita e minatorit” në qendrën e kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë. Manifestimi që u mbajt nën përkujdesjen e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Memli Krasniqi, ju kushtua poetit Dritëro Agolli, në 80-vjetorin e lindjes së tij.


Adem Demaçi, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK), i cili mirënjohjen e manifestimit ia dorëzoi poetes nga Shqipëria, Beatriqa Balliçit, në mungesë të Agollit, i cili nuk kishte mundur të jetë i pranishëm për shkaqe shëndetësore, tha se është nder për këtë manifestim që të nderoj një poet kaq të madh. “Ne duke nderuar një poet të madh të shqiptarëve, sikur që është Dritëro Agolli, nderojmë Kosovën, vetën tonë dhe gjithë shqiptarët”.


Tha se duhet pasur parasysh që njerëzit që nderohen të jenë të shquar, me biografi të pastër kombëtare, humane dhe intelektuale.


Në anën tjetër, ai falënderoi Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS) dhe Komunën e Mitrovicës për mbështetjen që ia kanë dhënë këtij manifestimi. “Mendojmë dhe shpresojmë që ky manifestim të jetë tradicional dhe të reflektoj vlera të mirëfillta”.


Ndërsa zëvendësministri i MKRS-së, Hajdin Abazi, tha se ministria do të mbështes çdo projekt të rëndësishëm kulturor. “Ne kemi qenë dhe do të jemi gjithnjë pranë artistëve dhe njerëzve të kulturës”.


Lidhur me manifestimin “Drita e minatorit” dhe nderimin për poetin Dritëro Agolli, ai theksoi se duhet të praktikohet tash e tutje që njerëzit e mëdhenj të nderohen dhe vlerësohen edhe sa janë gjallë. “Është mirë që njerëzit të nderohen para se të vdesin, meqë kjo na nderon neve si institucione dhe qytetarë”.


Në manifestim një fjalë rasti e mbajti edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati. Ai shprehu kënaqësinë që ky manifestim që nderon njerëzit e mëdhenj që organizohet prej njerëzve të mëdhenj mbahet në qytetin e Mitrovicës.


Ai gjithashtu shprehu mbështetjen për këtë manifestim, i cili pretendon që të jetë tradicional. “Ne si komunë në kuadër të mundësive që kemi vazhdimisht do të mbështesim projekte të tilla të rëndësishme për kulturën tonë”.         


Manifestimi letrar “Drita e minatorit” është organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës dhe Shoqata e Shkrimtarëve të Mitrovicës “Jakup Ceraja”, ndërsa është financuar nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës dhe Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Mitrovicës.
 

Në pjesën e dytë të programit të ditë së parë të manifestimit është mbajtur një tribunë letrare në temën: “Krijimtaria letrare e Dritëro Agollit”, ndërsa në ditën e dytë do të mbahet një orë letrare në qendrën e kulturës “Rexhep Mitrovica”. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)