Drejtoria e Arsimit mban takim informues për programin ASSET
Prishtinë, 4 maj - Drejtoria e Arsimit në koordinim me përfaqësuesit e programit ASSET “After School Support for Teens’ (Përkrahje adoleshentëve pas mësimit të rregullt), program i financuar nga USAID dhe zbatuar nga KEC (Qendra për Arsim e Kosovës) në partneritet me FHI360 dhe Crimson Capital Corp, organizuan takim me përfaqësuesit e disa komunave të Republikës së Kosovës dhe drejtues të gjimnazeve, për t’u informuan për programin.
Qëllimi kryesor i Programit është zhvillimi i shkathtësive për punësim dhe ndërmarrësi tek të rinjtë duke krijuar botëkuptim pozitiv për të ardhmen e tyre.
Po ashtu, ky programi ka për qëllim mbështetjen në zbatimin e Kornizës Kurrikulare të Kosovës dhe Kurrikulës Bërthamë për klasat X-XII, në veçanti duke ofruar përkrahje në fushën “Jeta dhe puna” e cila përfshin këshillim dhe orientim për karrierë, teknologji (përfshirë TIK-un), dhe edukimin për punë e ndërmarrësi. Për të përkrahur shkollat në zbatimin e projekteve praktike, Programi do t’i ndihmojë ato të themelojnë “Qendrat për karrierë dhe ndërmarrësi” me hapësirat e quajtura “Makerspaces” (hapësira kreative), që mund të shfrytëzohen gjatë dhe pas orarit mësimor. Pra, programi ASSET që një vit është duke implementuar në gjimnazin “Xhevdet Doda” dhe po planifikohet të zgjerohet edhe në dy gjimnaze tjera në Komunën e Prishtinës dhe në dhjetë komuna tjera.
Programi synon të përkrahë Ministrinë e Arsimit dhe shkollat në zbatimin e kurrikulës për edukim në karrierë dhe ndërmarrësi për klasat X-XII. Kjo do të përfshijë zhvillimin e instrumenteve vlerësuese për rezultatet e pritura mësimore, kurs të akredituar për mësimdhënës, burime dhe materiale mësimore, trajnimin e mësimdhënësve, dhe bashkëpunimin me partnerë për promovimin e “Qendrës virtuale të karrierës”, portal online për karrierë, në dispozicion për të rinjtë dhe prindërit e tyre brenda dhe jashtë sistemit shkollor.
Në bashkëpunim me partnerët, Programi synon të angazhojë bizneset dhe ndërmarrësit e interesuar që të përkrahin nxënësit në zhvillimin e shkathtësive për punë përmes projekteve dhe përvojës praktike. Aktiviteti i Programit “Adopto një aset” ka për qëllim t’u mundësojë bizneseve brenda dhe jashtë Kosovës të përkrahin nxënës të ndryshëm duke iu ofruar përvojë pune, praktikë, këshilla për karrierë dhe mentorim.
Aktiviteti “Harta e të rinjve për komunitetin” do të angazhojë të rinjtë dhe të rriturit në identifikimin e burimeve, nevojave dhe mundësive në komunitet. Harta e të rinjve është aktivitet i orientuar në veprim ku të rinjtë hulumtojnë komunitetin e tyre përmes anketimeve dhe reflektimit mbi informacionet e dhëna. Përfshirja e të rinjve në këto aktivitete i pajis ata me shkathtësi të cilat u mundësojnë të bëhen agjentë të ndryshimit dhe kontribues produktiv në komunitetin e tyre.