Drejtësia të hetojë skandalin e filluar nga ish-ministri Hoxhaj
Prishtinë, 18 shtator - MASHT-i harxhon diku afro 8 milionë euro në vit për të botuar e shpërndarë libra shkollorë falas për të gjithë nxënësit e shkollave parauniversitare, nga klasa e parë deri në të nëntën.
Buxheti edhe ashtu i vogël i shtetit shpenzohet kështu edhe për kategoritë e familjet e pasura të qytetarëve, të cilët nuk e kanë fare problem blerjen e librave shkollorë.
Ndërkohë, asnjëherë nuk është bërë publike ftesa për ndonjë tender të blerjes së librave dhe kjo gjë bëhet vetëm në biseda interne e direkte mes MASHT-it dhe botuesit-shtypshkronjës së librave.
Aty bëhen edhe pazaret. Këto libra janë të njëjtit në përdorim tash e 15 vjet, dhe disa nga këto libra jo vetëm që i ka sjellë dëm të madh buxhetit të Kosovës, por dëm të madh në dije u kanë shkaktuar nxënësve, sepse janë libra diskriminues, me dizajn shumë të dobët, me përmbajtje joprofesionale dhe libra që shiten me çmim shumë të lartë, sepse kjo i konvenon dikujt në qeveri.
MASHT-i asnjëherë nuk ka bërë publike listën e blerjes së librave ndër vite për të parë ndryshimet e çmimeve në blerje.
MASHT-i qysh në fillim, në vitin 2008 kur edhe ka nisur dhënia e librave falas, ka gabuar rënd për shkak të hipokrizisë, babëzisë dhe manipulimit e shkeljes së ligjit me qëllim përfitimi.
Udhëzimi qartë thotë se të gjithë librat nga klasa e parë deri në të pestën do të jepen falas, kurse nga pesë deri të klasa e nëntë do të plotësohet numri, që do të thotë do të përdoren tekstet e ruajtura, gjë e cila deri tani nuk ka ndodhur.
Më pas fletoret e punës nuk kanë qenë në plan të falen, por mbase për interes të dikujt u vendos që edhe fletoret që konsiderohen si material shpenzues të falen. Mirëpo, problemi nuk mbaron këtu.
Ndër vite drejtorët e shkollave (ku edhe përfundojnë librat që jepen falas), kanë bërë porosi të librave. Ata listën e librave e kanë dërguar në DKA-të përkatëse dhe pa asnjë kontroll nga kjo e fundit dhe si pasojë e keqmenaxhimit të qëllimshëm të librave, sidomos në porosi janë krijuar stoqe të mëdha të librave, për të cilat ka tërhequr vërejte edhe Auditori i përgjithshëm dhe më pas disa drejtorë të shkollave këto \"teprica\", të librave ua kanë shitur librarive me një çmim qesharak sa për t\'i hequr librat e liruar hapësirat, por edhe për të përfituar materialisht nga djersa e qytetarëve taksapagues, të cilët i paguajnë tatim rregullisht buxhetit të këtij shteti.
\"I gjithë ky zinxhir funksionon si ndërmarrje krimi, duke filluar nga krerët më të lartë përkatës në Qeveri dhe oligarkët - botues, e deri tek autorët e teksteve shkollore. Pasojat e këtij krimi janë shumëdimensionale. Së pari, dëmtohet shumë buxheti i shtetit me tekste të panevojshme e të padobishme, siç ishte rasti i skandalit, gjersa ministër i Arsimit ishte Enver Hoxhaj...\", thotë ndër të tjera analisti Isa Mulaj.
/Kosova Sot/