DKA-të sillen sikur nuk kanë asnjë obligim ndaj Kontratës Kolektive
Prishtinë, 8 korrik - Në ambientet e MASHT-it është mbajtur takimi i rregullt i Drejtorëve të Arsimit të Komunave të Kosovës , përfaqësuesve të MASHT-it dhe të SBASHK-ut.
Në këtë takim janë debatuar shumë çështje dhe Ministri Arsim Bajrami u kë thënë përfaqësuesve lokal të arsimit se pret bashkëpunimin e tyre dhe se u ka drejtuar apelin që të respektohen ligjet dhe të bëhet përzgjedhje e drejtorëve të institucioneve arsimore bazuar në aftësitë dhe arritjet e jo bazuar në përkatësinë politike.
Kryetari i SBASHK-ut , Rrahman Jasharaj., ka kujtuar drejtorët e DKA-ve se kanë mbetur shumë punë pa kryer nga ana e tyre dhe e pushtetit lokal sa i takon përmbushjes së kërkesave nga Kontrata Kolektive dhe çështjeve tjera.
DKA-të të mos sillen sikur nuk kanë asnjë obligim ndaj Kontratës Kolektive, ka deklaruar në këtë takim kryetari i SBASHK-ut për të kujtuar të parët e Arsimit Parauniversitar të komunave të Kosovës se ata është dashur të bëjnë zgjidhjen e çështjes së kompensimit të 70 % të biletave të udhëtimit për mësimdhënësit udhëtarë, të 3 pagave me rastin e pensionimit të punëtorëve të arsimit dhe të angazhohen për të rregullimin e çështjes së pensioneve ngase shumë nga mësimdhënësit, edhe përkundër faktit se Ligji mbi Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti e ka definuar këtë çështje, nuk gëzojnë pensionet e punës, po marrin ndihmën sociale prej 75 eurosh.
Nëse vazhdoni të silleni sikur nuk keni as edhe një obligim ndaj Kontratës Kolektive dhe as edhe obligime për të kërkuar zgjidhje nga Ministria e Punës e Mirëqenies Sociale për çështjen e pensioneve të punës, atëherë ta keni të qartë nga tani se edhe në vitin e ri shkollor do të ketë veprime sindikale nga SBASHK-u duke mos përjashtuar as grevën e përgjithshme, ka deklaruar para drejtorëve të DKA-ve dhe Kabinetit të Ministrit Bajrami, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj .