Djali i ish-rektorit përmes shkeljeve u bë ligjërues në UPZ
Prishtinë, 30 tetor - Afrim Shemsedini ka filluar punën me kontratë nga shkurti i këtij viti në Fakultetin Ekonomik të UPZ-së vetëm disa muaj pasi që babai i tij, Zahadin Shemsedini, kishte marrë pozitën e u.d së rektorit.
Këtë kontratë të cilën ia ka nënshkruar të birit, ish-rektori e mbështetet në pretendimet se ai ka gradë master, shkruan sot Koha Ditore.
Mirëpo Inspektorati i Arsimit ka konstatuar të kundërtën.
Në raportin e Departamentit të Inspektoratit të Arsimit, të datës 11 qershor të këtij viti, që ka siguruar gazeta, thuhet se ligjëruesi i angazhuar, Afrim Shemsedini, ka kontratë trevjeçare me universitetin Ukshin Hoti në Prizren, dhe se nuk i plotëson kushtet për punë në këtë institucion, përcjell koha.net.
Sipas komisionit inspektues të përbërë nga pesë inspektorë, grada shkencore në kontratë nuk vërtetohet me dokument dhe se fondi i orëve të mbajtura nuk është i shënuar në kontratë.
/koha ditore/