Diplomuan 161 studentë të UBT-së
Prishtinë, 29 qershor - Në një ceremoni madhështore, organizuar në sallën 1 Tetori në Prishtinë, nga Universiteti për Biznes dhe Teknologji (UBT), u zhvillua Ceremonia e Diplomimit 2012, në të cilën studimet bachelor i përmbyllën 161 studentë të tre departamenteve: Departamenti për Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, Departamenti për Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri si dhe Departamenti për Mekatronikë.
Ceremonia u hap me antonimin e Himnit të Republikës së Kosovës dhe vijoi me fjalën e Presidentit të UBT-së, Prof. Dr .Edmond Hajrizi.
Duke folur para të pranishmëve, prindër, familjarë dhe miq, përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të atyre ndërkombëtare, përfaqësues të medieve, profesorë dhe studentë të UBT-së dhe të ftuar të tjerë Hajrizi tha:
Ju dëshirojmë mirëseardhje në ceremoninë e përfundimit të studimeve dhe ceremoninë e diplomimit të studentëve të nivelit bachelor në Universitetin për Biznes dhe Teknologji dhe atë për tre fakulteteve: Departamentin për Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, Departamentin për Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri si dhe Departamentin për Mekatronikës.
Ne jemi shumë të nderuar që ju sot jeni pjesë e kësaj ngjarjeje shumë të rëndësishme, e cila sigurisht është një prej momenteve më të veçanta në jetën e absolventëve tanë.
Kjo ceremoni është si rezultat që del nga një përkushtim i juaj disavjeçar për të studiuar dhe për të ndërtuar një dije dhe një personalitet lideri në njërin prej profesioneve të zgjedhura nga ju, me qëllim të arritjes së një cilësie më të lartë jetësore për ju dhe shoqërinë.
Nevoja për një lider profesional është kërkesë e përditshme kudo në botë, por edhe në Kosovë.
Ne po kërkojmë të zhvillojmë një personalitet, i cili është shumë i përgatitur profesionalisht, është i përkushtuar në punë, ka shkallë të lartë kreativiteti dhe inovacioni, ndërton partneritete me të tjerët, ndihmon veten dhe shoqërinë, puna e tij bazohet ne fakte dhe rezultate, ka një aftësi të lartë ndërkulturore dhe interdisiplinare, por ka edhe një komunikim modern të bazuar në vlerat më të larta.
Studimet në UBT kanë pasur dhe kanë pikërisht një qëllim, që bazohet në atë që thamë: ofrimin e veglave dhe aftësive te nevojshme individit për të marrë vendime racionale dhe që i garantojnë atij suksese dhe vlera që bazohen në standardet më të larta evropiane dhe ndërkombëtare.
Detyra kryesore është që tia ofrojmë studentit tonë të gjitha arritjet e fundit në shkencën e menaxhimit, në ekselencën biznesore, në teknologjinë më moderne, në robotikë, në arkitekturë, në dizajn, planifikim hapësinor, marrëdhënie ndërkombëtare, diplomaci, në integrimet evropiane por edhe në kompetencën sociale.
Kjo është mundësuar falë një planprogrami modern që UBT e ka krijuar, duke u bazuar në standardet evropiane dhe amerikane të studimeve por edhe në bazë të nevojave dhe kërkesave që dalin nga tregu i punës.
Po ashtu, kjo është mundësuar edhe falë angazhimit të një stafi akademik me një eksperiencë të lartë ndërkombëtare në shkencë por edhe në aspektin profesional.
Më shumë se 300 profesorë dhe ekspertë, nga katër kontinente, nga 20 vende dhe kultura të ndryshme, nga rreth 60 e më shumë universitete dhe institucione partnere me renome botërore, po sjellin në UBT përvojën dhe dijen e tyre në këto programe ku ju, të nderuar absolventë, keni studiuar.
Kjo ka krijuar një ambient unik ndërkombëtar, ndërkulturor dhe interdisiplinar jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë.
Kjo i krijon UBT-së mundësinë të ofrojë programe dhe projekte që nuk kanë qenë më parë të pranishme në Kosovë.
Dhe natyrisht kjo ditë e sotme vjen si rezultat i punës së madhe dhe të palodhshme të të gjithëve në UBT, por para së gjithash si rezultat i punës studioze dhe të palodhshme që bëtë dhe po bëni ju, të nderuar studentë dhe absolventë.
Me angazhimin tuaj të madh, me argumentet e shumta të paraqitura për nivelin e zhvillimit të UBT-së, mbështetur në programet dhe rezultatet studimore, duke u anëtarësuar në shumë mekanizma ndërkombëtarë, ju dhe UBT ia keni dalë të thyeni bllokadën dhe pengesat e shumta, duke u shndërruar në ambasadorë të vendit tonë, për prezantimin e vlerave ekzistuese dhe synimeve të vendit tonë për të përqafuar trendet më bashkëkohore të zhvillimeve në shkencë e teknologji, duke bindur dhe gjithë të tjerët se në Kosovë ka vlera që duhen çmuar e përkrahur dhe duke dëshmuar njëkohësisht se studentët dhe ekspertët kosovarë mund të përfaqësohen denjësisht në të gjitha rrethet kulminante shkencore botërore.
Me këtë ju po ndihmoni vetveten por njëkohësisht po ngrini vlerat dhe cilësinë e jetës në vend.
Dhe ju të gjithë sot meritoni një respekt të veçantë dhe një falënderim të posaçëm.
Me nga një fjalë rasti ceremoninë e kanë përshëndetur edhe Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë, Dr. Ernst Reichel, i cili tha:
Ju si e ardhmja e Kosovës mund ti ndërroni gjërat për së miri, me anë të edukimit akademik që keni marrë në UBT që në të ardhmen afërt lehtë mund të bëheni lider vendi, Reich, duke shtuar se Gjermania vazhdimisht investon në Kosovë, duke pasur parasysh se Kosova sshpejti nuk do te ketë kufi dhe njerëzit do të lëvizin lirshëm nëpër vende tjera.
Me nga një fjalë rasti ceremoninë e kanë përshëndetur edhe Schari Zafapour , ligjërues në UBT.
Ndërsa në emër të studentëve të graduar të UBT-së, ceremoninë e ka përshëndetur Lirigzona Morina, e cila tha:
Ne emrin tim dhe kolegeve të gjeneratës sime një falënderim të veçantë e kemi për Presidentin e UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizin dhe për stafin akademik të UBT-së, për punën e tyre palodhshme, në ofrimin e studimeve të kualitetit të lartë, në ngritjen e një gjenerate tjetër të suksesshme në vend. Sot UBT është krenarë për të gjithë ne, e ne po i tregojmë botës që të diplomuarit e UBT-së janë specialistet më të mirë që vendi ynë e ka pasur ndonjëherë .
Pas fjalëve përshëndetëse ka vijuar ceremonia e diplomimit, me dhënien e betimit nga të porsadiplomuarit dhe me marrjen e certifikatave.
Po kështu, gjatë kësaj ceremonie janë shpallur edhe studentët e dalluar të të tre departamenteve, të cilët janë nderuar me certifikata. Nga Departamenti për Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi u certifikuan këta studentë si Nora Hasani dhe Qëndresa Sopja, nga Departamenti Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri janë Besart Pllana, Besim Shala dhe Kreshnik Ismaili, Gentian Hyseni vijën nga Departamenti Menaxhment i Mekatronikës.
Në këtë ceremoni u certifikuan edhe ambasadorët e UBT, të cilët janë si Halil Nallbani, Rilind Duruqi, Kushtrim Hasani, Meriton Kabashi, Ismail Shabani, Shefki, Svarqa, Leotrim Arifi, Meriton Beqaj, Jeta Zenunaj, Durim Dabiqaj, Saranda Musliu dhe Krenare Mustafa.
Manifestimi është përcjellë me pika të zgjedhura muzikore, ndërsa madhështinë atij ia kanë shtuar mysafirët e shumtë, të cilët kanë madhështuar ceremoninë e diplomimit.