Diplomojnë studentë të Kolegjit ISPE


Prishtinë, 8 shtator - Kolegji ISPE ka organizuar të martën, më 8 shtator, ceremoninë me të cilën në mënyrë solemne është shënuar përfundimi i studimeve për studentët e të gjitha programeve të akredituara në këtë institucion të arsimit të lartë.
Në ceremoni kanë marrë pjesë rreth 200 studentë që i kanë përfunduar ligjëratat për nivelin Bachelor në drejtimet e Studimeve të Integruara Evropiane, të Sigurisë dhe të Ekonomikut (gjenerata 2012/2013), si dhe për drejtimin Master në Studimet Evropiane (viti akademik 2013/2014).
Ceremoninë, e cila është mbajtur në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, e kanë ndjekur familjarët e studentëve, shumë mysafirë të lartë, si dhe profesorët vendorë dhe të huaj në Kolegjin ISPE, në mesin e tyre edhe gjenerali gjerman dhe ish-komandant i KFOR-it, Klaus Reinhardt, i cili është ligjërues i rregullt dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Kolegjit ISPE.
Duke iu drejtuar studentëve të pranishëm, gjenerali Reinhardt u ka rikujtuar se kur ai ka mbërritur në Kosovë për të parën herë, para 16 vjetësh, për të marr timonin e KFOR-it, në Kosovë ka ekzistuar kaos i paimagjinueshëm.
Misioni im ka qenë që ta kthej në Kosovë paqen dhe stabilitetin, si dhe të krijoj kushtet për normalitet në të cilin jeton çdo popull evropian, ka thënë ai duke shtuar se kjo ceremoni është një nga provat se ai dhe ushtarët e tij nga forca shumëkombëshe e kanë përmbushur mandatin e tyre.
Ju jeni e ardhmja akademike e Kosovës. Kjo nënkupton dhe shton përgjegjësi para juve në rrugëtimin e vendit tuaj drejt Bashkimit Evropian. Unë jam i lumtur që të jem me juve sot dhe ju dëshiroj të gjitha të mirat në përmbushjen e ëndrrave tuaja profesionale dhe jetësore, ka thënë gjenerali gjerman.
Në fjalimin e tij drejtuar studentëve dhe të pranishmëve, Rektori i Kolegjit ISPE, Avni Mazrreku, ka thënë se falënderimi për suksesin që e kanë arritur studentët e pranishëm në ceremoni u shkon së pari prindërve dhe familjarëve të tyre, sepse janë sakrifikuar për tju mundësuar studentëve të tyre që të sigurojnë arsim të nivelit sipëror.
Ai ka theksuar faktin se 90 për qind e studentëve të Kolegjit ISPE, që kanë diplomuar deri më tani, janë akomoduar në tregun e punës. Kjo, sipas Mazrrekut, përbën një sukses të madh kur kihen parasysh kushtet dhe situata ekonomike e sociale që mbizotërojnë në Kosovë.
Kolegji ISPE është një projekt i përbashkët kosovaro-gjerman, respektivisht dhe i profesorëve entuziastë kosovar dhe gjerman. Ai është dëshmuar si projekt dhe mision i suksesshëm, sepse për qëllim kryesor ka shkollimin e kuadrove deficitar për tregun kosovar, ka thënë Mazrreku.
Disa nga studentët që kanë përfunduar mësimet në Kolegjin ISPE u folën të pranishmëve për eksperiencat e tyre gjatë studimit. Ata theksuan se Kolegji dallohet nga institucionet tjera të arsimit të lartë me programe unike, sepse shkollon ekspertë nga fusha e integrimeve evropiane. Studenti Pajtim Bytyçi nga programi i ekonomikut ka theksuar me këtë rast se Kolegji ISPE e ka sjell Evropën pranë nesh, respektivisht u ka hapur studentëve të vet dyert drejt Evropës.
Ceremonia solemne u përcoll edhe nga disa pika muzikore të muzikës klasike, të cilat i ekzekutuan talentët më të shquar kosovar të këtij zhanri muzikor.
Në fund të ceremonisë, sipas traditës dhe të përcjellë nga tingujt e Himnit të Evropës rreth 200 studentë i hodhën lartë kapelat e tyre, duke shënuar kështu në mënyrë simbolike dhe gazmore fundin e një periudhe shumë të rëndësishme në karrierën e tyre akademike.