Diplomojn 230 studentë të Kolegjit Victory
Prishtinë 23 Qershor Në ambientet e Sallës 1 Tetori në Prishtinë, u mbajt sot Ceremonia e Diplomimit të Gjeneratës së tretë të studentëve të Kolegjit Victory.
Në këtë eveniment të diplomimit të 230 studentëve të drejtimeve Ekonomi Afariste-Tregti e Jashtme dhe Politikë Ndërkombëtare dhe Diplomaci morën pjesë personalitete të njohura vendore dhe ndërkombëtare.
Në mesin e tyre ishin edhe rektori i Kolegjit Victory, eksperti i politikës ekonomike ndërkombëtare, prof.dr.Bedri Selmani, simboli i rezistencës shqiptare, Adem Demaçi, profesori i Universitetit të Oksfordit, James Petiffer, profesori i Ekonomisë nga Universiteti i Zagrebit, njëkohësisht dekan i Fakultetit të Ekonomisë Afariste në Kolegjin Victory, prof.dr.Ivo Andianic, profesori i Politikës Ndërkombëtare nga Universiteti i Lubjanës, njëkohësisht dekan në Fakultetin e Politikës Ndërkombëtare dhe Diplomacisë në Kolegjin Victory, prof.dr. Martin Berishaj dhe mysafirë tjerë.
Në fjalën e hapjes së ceremonisë së diplomimit 2012, Presidentja e Kolegjit Victory, znj.Lumturije Selmani-Bytyçi, duke iu drejtuar studentëve të Kolegjit Victory, pasi uroi ata për suksesin e tyre theksoi:
Tri vite më parë ju filluat rrugëtimin më të rëndësishëm në jetën tuaj. Janë këto vitet e formimit tuaj profesional dhe shkencor. Është periudha, gjatë së cilës keni arritur të zhvilloni aftësitë tuaja për tju përgjigjur trendeve zhvillimore globale të shtetit tonë, Republikës së Kosovës.
Në vazhdim, znj.Selmani-Bytyçi shtoi se në përputhje me këto trende bashkëkohore, e ardhmja e ekonomisë kosovare do të jetë një ekonomi që bazohet në dituri. Prandaj, zhvillimi i kapitalit intelektual është detyra më e rëndësishme e institucioneve të arsimit të lartë.
Kolegji Universitar Victory është i përkushtuar denjësisht në ndërtimin e karrierës së kuadrove, të cilët do të jenë qytetarë global në spektrin profesional dhe shkencor, si në arenën politike, po ashtu edhe në atë ekonomike. Me krenari e them, se të diplomuarit tanë, të drejtimeve: Ekonomi Biznesi-Tregti e Jashtme dhe Politikë Ndërkombëtare e Diplomaci, jeni kuadro që keni fituar dije dhe vullnet për të qenë udhëheqës të proceseve zhvillimore dhe integruese në vendin tonë u shpreh në paraqitjen e saj Presidentja e Kolegjit Victory, Lumturije Selmani-Bytyçi.
Mysafiri i nderit i ceremonisë së diplomimit 2012 të Kolegjit Victory, simboli i rezistencës shqiptare, Adem Demaçi vlerësoi lartë punën që është bërë në Kolegjin Victory nga rektori prof.dr.Bedri Selmani dhe stafi akademik dhe menaxheria dhe shtoi se e ardhmja e Kosovës është në duart e kuadrove të ditur dhe të përgatitur profesionalisht për ta zhvilluar dhe integruar Kosovën.
Në adresimin e tij para studentëve dhe profesorëve, z.Demaçi theksoi rëndësinë e konceptit të humanizmit në zhvillimin ekonomik dhe politik të shoqërive demokratike, duke potencuar se ky koncept është jashtëzakonisht i rëndësishëm për stabilitetin global.
Ndërsa, profesori i Universitetit të Oksfordit, James Petiffer në fjalën e tij, duke shtruar çështjen se çfarë roli do të luajnë universitetet dhe të diplomuarit në të ardhmen e Kosovës, mes tjerash tha:
Shumica e njerëzve të rinj që unë takova këtu, e shohin të ardhmen e Kosovës në një Evropë të bashkuar, ndoshta edhe Federale, ku Kosova do ta zinte vendin e merituar. Ky është një ideal pozitiv dhe i natyrshëm, por tani mund ta vëmë në pikëpyetje si kurrë më parë. Bashkimi Evropian është në vështirësi serioze ekonomike dhe politike, siç thonë disa analistë, është në rënie e sipër, duke rrëzuar idealet transnacionale të historisë së viteve të fundit në Kosovë, siç ishte shembulli i rënies së Jugosllavisë, e disa të tjerë, prandaj modeli evropian duhet te ekzaminohet në mënyrë kritike. Nuk është zëvendësim i ndërtimit të shtetit të Kosovës hap pas hapi, tullë pas tulle, duke ringjallur bujqësinë, minierat, ndërtimi i biznesit të fuqishëm, unioneve tregtare dhe institucioneve fetare e të shoqërisë civile. Nuk është zëvendësim për integrimin e Kosovës në një botë të gjerë shqiptare, veçanërisht në sferën ekonomike, tani pasi rruga drejt Adriatikut është hapur.
Në vazhdim ai shtoi: Këshilla ime për të rinjtë e Kosovës, është se ka ardhur koha që të kthejmë kokën nga resurset vendore dhe ti zhvillojmë ato sa më shpejtë dhe në mënyrë sa më efikase. Ideali Evropian mund të kthehet në iluzion, veçanërisht financiar dhe siguria e Kosovës të mbetet në duart e ShBA-ve, Mbretërisë së Bashkuar dhe NATO-s.
Duke folur në ceremoninë e organizuar nga Kolegji Victory, profesori i Ekonomisë nga Universiteti i Zagrebit, njëkohësisht dekan i Fakultetit të Ekonomisë Afariste në Kolegjin Victory, prof.dr.Ivo Andianic potencoi se Kolegji Victory nga fillimi i ekzistencës së saj është angazhuar me të gjitha potencialet në zhvillimin intelektual dhe akademik të studentëve përmes aftësimit të tyre profesional dhe shkencor.
Në këtë mënyrë, shtoi Andrianic, ndihmojmë në ndërtimin e karrierës profesionale të secilit student, të cilët i aplikojnë njohuritë e fituara në punën dhe praktikën e përditshme në të mirën e atdheut të tyre, Republikës Kosovës dhe integrimin e saj të shpejtë në aleancën ndërkombëtare, e veçanërisht në Bashkësinë Evropiane, duke zhvilluar vrullshëm marrëdhëniet ekonomike dhe politike me vendet mike si SHBA-të, Britania e Madhe, Gjermania, Shqipëria, Kroacia, Turqia, etj.
Profesori i Politikës Ndërkombëtare nga Universiteti i Lubjanës, njëkohësisht dekan në Fakultetin e Politikës Ndërkombëtare dhe Diplomacisë në Kolegjin Victory, prof.dr. Martin Berishaj, uroi studentët e diplomuar dhe prindërit e tyre për suksesin e dëshmuar në studime dhe u fokusua në integrimin politik dhe ekonomik të gjithë hapësirës shqiptare, duke thënë se vetëm kështu do të ketë zhvillim dhe stabilitet në rajon.
Në ceremoninë e sotme, Kolegji Victory shpërbleu edhe 9 studentët më të dalluar, të cilët gjatë studimeve arritën notën mesatare mbi 9.5.
Në krye të këtyre studentëve ishte studentja e drejtimit Politikë Ndërkombëtare dhe Diplomaci, Florentina Haliti e cila në fjalën e saj falënderoi rektorin Selmani dhe stafin akademik dhe menaxheria të Kolegjit Victory për mbështetjen e dhënë, duke krijuar kushte dhe mundësi të mira për studime cilësore.
Studentja më e dalluar, Florentina Haliti në emër të studentëve të dalluar në Kolegjit Victory premtoi se gjenerata e saj do të vazhdojë të avancohet në sferën akademike, me qëllim të dhënies së kontributit të rëndësishëm për zhvillimin e shtetit të Kosovës.
Në ceremoninë e sotme të Diplomimit të Gjeneratës së Tretë të studentëve të Kolegjit Victory, rektori i këtij kolegji, prof.dr.Bedri Selmani ndau 3 çmime të arta për 3 personalitete vendore dhe ndërkombëtare.
Çmimi i artë për arritje akademike dhe zhvillim të kapitalit intelektual iu nda simbolit të rezistencës shqiptare, Adem Demaçi, çmimi për kontribut ndërkombëtar për pavarësinë e Kosovës iu nda profesorit James Petiffer, ndërsa çmimi për kontribut në zhvillimin e programeve studimore të Kolegjit Victory iu nda dekanit të Fakultetit të Ekonimisë Afariste-Tregtisë së Jashtme, prof.dr.Ivo Andrianic.