Dema premtoi mbështetjen për mbarëvajtjen e Seminarit
Prishtinë, 9 prill - Rektori i Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina, Prof. Dr. Marjan Dema priti sot në takim dekanen e Fakultetit të Filologjisë, Prof. Asoc. Dr. Lindita Rugova dhe drejtorin e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Prof. Asoc. Dr. Rrahman Paçarizi.
Mysafirët e njoftuan rektorin për përgatitjet lidhur me organizimin e edicionit të 35-të Seminarit që janë në kulmin e tyre dhe kërkuan vazhdimin e mbështetjes nga rektorati për këtë ngjarje, që ata e cilësuan si organizimin më të madh dhe më me traditë të shkencave albanologjike në botë.
Nga ana e tij, rektori Dema premtoi mbështetjen e nevojshme nga rektorati i Universitetit të Prishtinës, për mbarëvajtjen e Seminarit. Ai gjithashtu ka kërkuar nga dekanja Rugova dhe drejtori Paçarizi që ta ruajnë traditën e Seminarit dhe të bëjnë edhe më shumë përpjekje për organizimin dhe menaxhimin e mirë të këtij aktiviteti vjetor me shumë rëndësi, jo vetëm për Universitetin e Prishtinës.