Dema bën prezantimin e progresit të Planit Strategjik të UP-së
Prishtinë, 13 qershor - Në dhjetor të vitit 2016, Universiteti i Prishtinës Hasan Prishtina ka kompletuar dhe lansuar Planin Strategjik tre vjeçar, të quajtur udhëzuesi drejt së ardhmes.
Ndërkaq, dje në Sallën e Senatit të Universitetit të Prishtinës, në praninë partnerëve kryesor të UP-së dhe stafit të lartë menaxherial, Rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema prezantoi këtë plan të ndarë në dy pjesë: në qëllimet e vendosura dhe në atë së çka është arritur deri me tani.
Rektori Dema para se të kalonte në prezantimin e tij, shfrytëzoi rastin ti përshëndeste të gjithë bashkëpunëtorët e UP-së për kooperimin e frytshëm që e kanë pasur deri me tani, duke theksuar që ky bashkëpunim ka influencuar me të madhe në arritjen e këtyre objektivave.
Unë çdo herë them pa e ndryshuar Universitetin e Prishtinës, është e pamundur të ndryshohet gjendja e shoqërisë në Kosovë. Kjo është ajo që po bëjmë. Andaj, ju falënderoj për ndihmën që po na jepni në arritjen e këtyre ndryshimeve në të mirë të UP-së dhe vendit tonë theksoi Dema.
Disa nga objektivat e arritura të paraqitura në këtë prezantim ishin: krijimi i zyrave dhe qendrave të ndryshme në kuadër të UP-së, si: Qendra për Përsosmëri në Mësimdhënie dhe Zyra për Kërkime dhe Programe të Sponsorizuara, ofrimi i bursave dhe trajnimeve për studentë dhe staf, lansimi i portalit për shërbime të karrierës, lansimi i programeve të para të marrjes së diplomës në gjuhën angleze, ngritja e numrit të studentëve ndërkombëtar pjesëmarrës në UVP, zbatimi i standardeve të avancimit dhe promovimit, përmirësimi i kurrikules së vetëvlerësimit, ridizajnimi i uebfaqës së UP-së, zhvillim infrastrukturor e shumë të arritura të tjera.