Delegacioni i SBASHK-ut në vizitë pune në Slloveni
Krahas aktiviteteve të shumta në gjithë Kosovën, SBASHK-u po vazhdon me angazhimet edhe jashtë vendit me qëllim të këmbimit të ideve, të shtimit të bashkëpunimit me Sindikatat simotra dhe të realizimit të suksesshëm të Projektit të përbashkët mes KEC-it e SBASHK-ut, e që mbështetet nga Këshilli i Evropës.
Me këto qëllime një delegacion i SBASHK-ut, i kryesuar nga Kryetari Rrahman Jasharaj ,është duke qëndruar në Slloveni. Ata janë pritur ngrohtësisht nga Sekretari i Përgjithshëm i Sindikatës së Arsimit,Shkencës dhe Kulturës së Sllovenisë (SVIZ), z. Branimir Shtrukelj, dhe nga stafi udhëheqës i kësaj sindikate me përvojë.
Shtukelj ka informuar mysafirët për angazhimet, sfidat dhe arritjet e kësaj sindikate e po ashtu ka lavdëruar angazhimet e SBASHK-ut duke premtuar se edhe në të ardhmen këto dy sindikata do të jenë shembull i bashkëpunimit.
Ai ka kujtuar se populli slloven dhe sindikata e arsimit këtu edhe në ditët e vështira për Kosovën kanë qenë në përkrahje të idealit të popullit të Kosovës për liri. Kryetari i SBASHK-ut ka lavdëruar bashkëpunimin mes dy sindikatave dhe ka falënderuar gjithë stafin udhëheqës të tyre për angazhimet që kjo vizitë të jetë sa më e suksesshme.
Pas kësaj është zhvilluar një bashkëbisedë mes dy palëve dhe janë bartur përvojat. Konstatim i përbashkët ishte se Sindikatat kudo përballen me sfidat dhe duhet ta përkrahin njëra-tjetrën në mbrojtjen e interesave të të punësuarve në arsim.
Pjesë e kësaj vizite është edhe Drejtori i Departamentit për Arsimin Parauniversitar në MASHT, z. Alush Istogu.
Do theksuar se krahas pritjes së ngrohtë që këtij delegacioni i organizoi Sindikata Sllovene e Arsimit dhe drejtori e stafi në Shkollën elitë \"Prezhihov Voranc\", një ndjenjë e veçantë krenarie për ta ishte edhe vizita e stafit të Ambasadës së Kosovës në Slloveni dhe kujdesi i tyre për delegacionin për t\'i ftuar që të jenë në një vizitë edhe në ambientet e Ambasadës.
Delegacioni i SBASHK-ut gjatë qëndrimit në Slloveni do të gjendet edhe në ambientet e Ministrisë së Arsimit të këtij shteti , por do të vizitojë edhe institucione të dalluara arsimore dhe do të bashkëbisedojë edhe me Organizata rinore sllovene.